Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se qeveria po diskuton masa që mund të kufizojnë disa të drejta dhe përfitime për personat e përfshirë në akte dhune gjatë protestave. Në një intervistë për emisionin “Real Story” në ABC News, ai paralajmëroi se detajet pritet të bëhen publike ditën e nesërme.
Balla sqaroi se propozimet janë ende në diskutim, por theksoi se personat që përfshihen në akte dhune duhet të përballen edhe me pasoja që lidhen me përfitimet që marrin nga shteti.
“Kryeministri sot ka bërë me dije disa masa që janë të ngjashme dhe që po merren në disa vende europiane lidhur me kufizimin e disa të drejtave për disa persona që angazhohen në akte dhune”, tha ai.
Si shembull, Balla përmendi rastin e një studenti që përfshihet në akte dhune kundër Ministrisë së Arsimit, duke argumentuar se ai mund të humbasë përfitime si bursa studentore.
“Nëse trajtohesh me bursë nga Ministria e Arsimit dhe përfshihesh në akte dhune kundër saj, minimalisht këtë bursë nuk do ta përfitosh më”, u shpreh Balla, duke nënvizuar se këto masa nuk janë përfundimtare.
Ai ngriti gjithashtu akuza ndaj prokurorisë dhe gjykatave, të cilat, sipas tij, nuk po reagojnë në mënyrë të mjaftueshme ndaj shkeljeve të kryera gjatë protestave. Balla iu referua ligjit për tubimet dhe ndalimit të pjesëmarrjes me maskë, duke pretenduar se ky parashikim ligjor nuk po zbatohet.
“Këtu po vidhen banka, po vidhen dyqane, po shkatërrohet prona publike dhe prona private. Një person i caktuar po kryen katër apo pesë vepra penale njëkohësisht”, deklaroi ai.
Duke komentuar përplasjet mes protestuesve dhe policisë, kreu i grupit parlamentar socialist theksoi se sulmet ndaj efektivëve përbëjnë vepra penale.
“Dua t’i flas çdo qytetari: goditja e punonjësit të policisë është vepër e rëndë penale, sepse kur ke goditur punonjësin e policisë ke goditur shtetin. Ne kemi përcaktuar si vepër penale edhe mosbindjen ndaj punonjësit të policisë”, tha Balla.
Në të njëjtën intervistë, ai foli edhe për investimet në arsimin e lartë dhe kushtet në konviktet studentore, të cilat i cilësoi “të shkëlqyera”. Balla bëri të ditur se për të enjten ishte parashikuar votimi i një kredie tjetër për investime në konvikte.
“Studentët do të sulmonin Kuvendin ditën që Kuvendi do të miratonte një kredi për konviktet”, u shpreh ai.

