Autoritetet e Floridës kanë lëshuar një urdhër-arrest për ish-udhëheqësin kuban Raul Castro, në lidhje me rrëzimin e dy avionëve të vegjël nga Forcat Ajrore Kubane në vitin 1996. Incidenti përfundoi me vdekjen e katër personave, tre prej të cilëve shtetas amerikanë.
Lajmi u bë i ditur nga prokurori i Përgjithshëm i Floridës, James Uthmeier, i cili njoftoi ngritjen e akuzave dhe lëshimin e urdhër-arrestit në nivel shtetëror. Ai deklaroi se ngjarja nuk ishte një aksident, por një vrasje, duke theksuar se banorët e Majemit kanë pritur prej vitesh që çështja të marrë drejtësi.
Dy avionët i përkisnin organizatës jofitimprurëse “Hermanos al Rescate” (Vëllezërit në Shpëtim), me seli në Majemi, e krijuar nga mërgimtarë kubanë. Në kohën e incidentit, Raul Castro mbante postin e ministrit të Mbrojtjes së Kubës.
Autoritetet kubane pretenduan se avionët kishin hyrë në hapësirën ajrore të vendit. Nga ana tjetër, Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil arriti në përfundimin se ata ndodheshin mbi ujërat ndërkombëtare në momentin kur u rrëzuan.
Akuza ndaj Castros ishin ngritur edhe nga autoritetet federale amerikane në muajin maj. Zhvillimet e fundit vijnë në një periudhë tensionesh të vazhdueshme mes SHBA-së dhe Kubës, marrëdhënie që janë përkeqësuar gjatë presidencës së Donald Trump për shkak të sanksioneve dhe masave që kufizojnë furnizimin me naftë.
Raul Castro, sot 95 vjeç, shërbeu si ministër i Mbrojtjes për rreth 50 vjet dhe drejtoi Kubën nga viti 2006 deri në vitin 2018.

