Nga Evarist Beqiri
Tirana u zgjua sot me një skenë tragjikomike: fadromat e shtetit që shqyejnë gurët e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të shpëtuar fytyrën e arrogancës së një pushteti të kalbëzuar. Ky është paniku i një qeverie që kujton se duke pastruar rrugën nga gurët, do t’i pastrojë rinisë inatin nga shpirti. Dhuna e të rinjve nuk buron nga kalldrëmi i Bulevardit; ajo buron nga gurët që kjo qeveri i ka vënë nën rrota meritokracisë dhe drejtësisë. Mund ta betonizoni sheshin, por nuk e betonizoni dot zemërimin e një gjenerate.
Rinia nuk po gjuan me gurë Brukselin, po gjuan modelin e korrupsionit të Tiranës. Ata nuk janë ngritur sepse urrejnë Shqipërinë. Institucionet kanë humbur besueshmërinë, prandaj zemërimi i qytetarëve kthehet kundër simboleve të tyre. Kjo nuk e justifikon dhunën, por tregon sa e thellë është kriza e përfaqësimit.
Më alarmant është kalimi i narrativës në një alibi gjeopolitike. Kryeministri, si i sëmuri imagjinar, fshihet pas dronëve dhe sulmeve nga Irani apo Rusia për të justifikuar zemërimin e gjimnazistëve. Ky është kapitullimi logjik i kësaj qeverie. Sigurisht që kushdo mund të përfitojë nga një vend në kaos, por kaosin këtu nuk e krijoi as Putini as Garda Revolucionare iraniane. Kaosin e krijoi korrupsioni dhe kalbëzimi i pushtetit.
Kulmi i këtij dëshpërimi është ofendimi. T’i quash këta të rinj “kokë boshe” është vetëvrasje morale. Le të mos harrojmë: këta protestues janë ekskluzivisht produkt i 13 viteve të qeverisjes së tij. Nëse ata e kanë “kokën boshe”, kjo ndodh sepse kjo qeveri u boshatisi shpresën, xhepat e prindërve dhe mundësinë për të ndërtuar të ardhmen këtu.
Pushteti ka humbur kontrollin e shtetit. Ai po përpiqet që të kontrollojë pamjen e krizës, kur shkaku i saj kërkon përgjegjësi politike dhe institucionale. Zgjidhja nuk vjen as nga gazi lotsjellës, as nga arroganca. Zgjidhja fillon kur ky pushtet të pranojë që modeli i tij ka rënë. Tani fjalën e ka Drejtësia dhe mjetet demokratike. Sa më shpejt të pastrohen radhët lart, aq më shpejt do të qetësohen rrugët poshtë. Nuk ka për të pasur paqe sociale pa Drejtësi.






