Tuesday / October 20 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi

Platformat e pagesave për e-commerce në rritje me 59%, por numri i tyre ngelet shumë i vogël

Share Share Icon

Përdorimi i terminaleve virtuale për pranimin e pagesave online është në rritje këtë vit, por numri i tyre ngelet ende shumë i vogël.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në mesin e vitit 2026 numri i terminaleve POS virtuale arriti në 389, në rritje me 59% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Terminalet POS virtuale mundësojnë pranimin e pagesave elektronike, zakonisht me karta, për të lehtësuar kryerjen e pagesave nëpërmjet faqeve të internetit. Ky produkt është i lidhur sidomos me platformat e tregtisë elektronike të bizneseve, megjithatë mund të përdoret edhe nga institucionet për të mundësuar pranimin e pagesave online për shërbimet publike.

Me gjithë rritjen e lartë të shënuar këtë vit, numri i POS-eve virtuale në Shqipëri ngelet në nivele të papërfillshme krahasuar me numrin e përgjithshëm të ndërmarrjeve.

Vlerësohet se zhvillimi i tregtisë elektronike në Shqipëri është ende i ngadaltë krahasuar me tregjet më të zhvilluara.

Sipas statistikave të INSTAT,  31.3% e ndërmarrjeve në Shqipëri kanë shitur produkte ose shërbime nëpërmjet faqes së internetit, aplikacioneve të dedikuara, faqeve të internetit e-commerce dhe aplikacioneve të përdorura nga ndërmarrje të ndryshme për tregti të produkteve.

Ky tregues është rritur me 3 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.

Megjithatë, transaksionet e tregtisë elektronike përgjithësisht dominohen nga pagesat cash në dorëzim.

Qeveria shqiptare vitin e kaluar nisi një strategji për uljen e përdorimit të parasë cash në ekonomi. Pjesë e kësaj strategjie ishin detyrimi i bizneseve për pajisje me terminal POS për pranimin e pagesave me kartë, si edhe zgjerimi i aksesit për pagesa jocash edhe në institucionet publike.

Shqipëria ngelet një vend me shkallë të përdorimit të lartë të parasë cash, fenomen i lidhur me një përfshirje ende të pamjaftueshme financiare, por edhe me nivelin e konsiderueshëm të informalitetit dhe evazionit fiskal.

Vlerësohet se afërsisht 40% e monedhës lokale në qarkullim qëndron jashtë bankave, pa përfshirë këtu valutat e huaja, për të cilat nuk ekzistojnë statistika zyrtare. Shqipëria është një ndër vendet me nivelin më të lartë të parasë jashtë bankave, çka nënkupton një shkallë të lartë të përdorimit të parasë cash në ekonomi.

Megjithatë, pagesat me kartë janë në rritje të shpejtë në vitet e fundit.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në gjashtë muajt e parë të vitit u regjistruan gjithsej 16 milionë pagesa me kartë në pikat elektronike të shitjes (POS). Numri i pagesave me kartë është rritur me 28% krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar. Tashmë, numri i pagesave me kartë në POS-e ka kaluar në mënyrë të qëndrueshme numrin e tërheqjeve cash në bankomate.

Për çdo 100 veprime të kryera me karta pagesash (pa përfshirë veprimet me para elektronike), afërsisht 56 prej tyre ishin pagesa në terminale POS, ndërsa diferenca ishin tërheqje apo depozitime paraja cash.

Ndërkohë, vlera totale e pagesave me kartë për gjashtë muaj ka arritur në 58.3 miliardë lekë, me një rritje prej 21% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të matura në vlerë monetare, pagesat me kartë përbënin 18.3% të totalit të veprimeve me karta, në rritje nga niveli prej 17.4% i vitit të kaluar.  / E.Shehu

Burimi: BSH

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Euro bie përsëri, i afrohet kufirit të 91 lekëve

Kursi i këmbimit Euro-Lek e ka nisur javën në rënie të mëtejshme dhe ka prekur një minimum të ri historik. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankë...

15 hours më parë 3 Min Lexim

Bizneseve u shkojnë këstet e rritura të tatimfitimit, Binaj: Pas protestave ka ndryshuar qasja

Strategjia e re e administratës tatimore tashmë është që duke parë dhe çfarë do të ndodhë me situatën, t'u vihet në ndihmë bizneseve, tha drejtori ...

16 hours më parë 3 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!