Droni rus godet parkun e lojërave në Harkiv të Ukrainës, 6 persona të vrarë, mes tyre edhe fëmijë

20 Tetor 2026 | 07:29

Gjashtë persona, përfshirë fëmijë, janë vrarë, kur një dron rus goditi një park në rajonin e Harkivit, në verilindje të Ukrainës, thanë autoritetet të martën.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e dënoi sulmin, që e cilësoi si “mizori”, duke shkruar në Facebook se droni “goditi direkt njerëzit në një park afër një kafeneje”.

Në mesin e tyre ishte një vajzë njëvjeçare, shkroi ai, duke ripublikuar një fotografi të një vajze të vogël në një karrocë fëmijësh.

Sulmi në parkun qendror të Nova Vodollagës, në rajonin verilindor të Harkivit, la të vrarë edhe nënën e vajzës.

Qyteti, që gjendet pranë vijës së frontit, kishte rreth 10.000 banorë para se Rusia të niste pushtimin në shkallë të plotë të ZUUkrainës në vitin 2022.

Guvernatori i rajonit të Harkivit, Oleg Synegubov, tha në Telegram se në mesin e viktimave janë tre fëmijë dhe 15 persona të tjerë janë plagosur, shtatë prej të cilëve, sipas tij, janë fëmijë.

Në një postim të mëhershëm në Telegram, Synegubov dënoi “një tjetër akt terrorist nga Federata Ruse”.

“Armiku godet një park rekreativ në mes të ditës, duke e ditur se aty nuk ka fare infrastrukturë ushtarake”, tha ai.

Edhe policia e rajonit të Harkivit publikoi në Telegram fotografi ku shiheshin një karrocë e djegur, pajisje të dëmtuara të këndit të lojërave dhe një strukturë prej druri në prag të shembjes.

Ndërkohë, Zelensky përsëriti thirrjen drejtuar aleatëve të Kievit që t’i sigurojnë vendit më shumë kapacitete të mbrojtjes ajrore, në një kohë të rritjes së tensioneve me presidentin amerikan, Donald Trump.

 “Kërkojmë që sanksionet ndaj Rusisë të mbeten në fuqi për sa kohë që vazhdojnë vrasjet. Kërkojmë që Amerika të jetë e fortë”, tha Zelensky, i cili më herët ka kritikuar vendimin e Uashingtonit për të hequr disa sanksione ndaj Moskës.

Ndërkaq, autoritetet lokale në rajonin lindor të Luhanskut, të pushtuar nga Rusia, thanë se tre persona u vranë të hënën, kur një sulm ukrainas goditi një automjet për transportin e arkivoleve.

“Një sulm ukrainas shënjestroi një automjet të shërbimit funeral që po transportonte një person të vdekur. Ky sulm u mori jetën tre personave”, tha në Telegram Leonid Pasechnik, udhëheqësi i rajonit i instaluar nga Moska.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Trump shprehet i gatshëm të takohet me Putinin dhe Xi Jinpingun në Kinë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të hënën se është i gatshëm të ulet me presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin kinez Xi Jinping në...
07:23 | 20/10/2026

Trump: Zelenskyy duhet të gjejë edhe dikë tjetër për të negociuar për t’i dhënë fund luftës

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha të hënën se dikush tjetër përveç presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, duhet të negociojë në emër të Kievit, ndërsa ky...
22:26 | 19/10/2026

Trump: Nëse Zelensky do të më kishte dëgjuar miliona ukrainas do të ishin gjallë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nisi një sulm të ashpër ndaj Volodymyr Zelensky sot, duke pretenduar se është koha që dikush tjetër të negociojë në...
22:21 | 19/10/2026