Janë luajtur takimet e javës së dytë të Superligës në basketboll për meshkuj. Kampionët e Besëlidhjes arritën një fitore të vështirë në Korçë ndaj Skënderbeut vendës, me rezultatin 97-88.
Vendasit udhëhiqnin 52-48 në mbyllje të pjesës së parë, por miqtë nga Lezha arritën të përmbysnin shifrat në pjesën e dytë falë një loje më të mirë kolektive (5 lojtarë realizuan mbi 10 pikë).
Vazhdon të zhgënjejë Tirana, që u mund 89-86 nga Elbasani në shtëpinë e këtij të fundit. Suksesi i vendasve erdhi në periodën e fundit falë 32 pikëve të Thompson dhe 24 të Alban Çelës.
Jashtë fushe fiton Vllaznia, që mundi pa shumë probleme 69-54 Pogradecin, ndeshje ku u dallua Hibbitt me 22 pikë. Nuk zhgënjen Apolonia në ndeshjen e parë sezonale, që falë 42 pikëve të dyshes Thames-Lane, mundi 84-70 Flamurtarin.
Fitoren e dytë në kampionat korri edhe Teuta, që mundi pa shumë problem 89-62 Partizanin në kryeqytet. Pas një pjese të parë të ekuilibruar, durrsakët u shkëputën në 20 minutat e dyta, ku u dallua Fisher me 21 pikë e 18 rebound.
Superliga-Meshkuj, java e dytë
Flamurtari – Apolonia, 70-84
Pogradeci – Vllaznia, 54-69
Skënderbeu – Besëlidhja, 88-97
Elbasani – Tirana, 89-86
Partizani – Teuta, 62-89
Kamza Basket (pushim)
Renditja: Besëlidhja 4 pikë, Vllaznia 4 pikë, Teuta 4 pikë, Skënderbeu 3, Elbasani 3 pikë, Kamza Basket 2 pikë, pikë, Pogradeci 2 pikë, Tirana 2 pikë, Flamurtari 2 pikë, Partizani 2 pikë, Apolonia 2 pikë.







