Kryeministri Edi Rama deklaroi mëngjesin e kësaj të Hëne se në protestën e të rinjve që po zhvillohet këto ditë në Tiranë e qytete të tjera ka “vajza dhe djem që mendojnë se jeta është TikTok dhe se me TikTok dhe pa lidhur dot 7 fjalë bashkë, mund të bëjnë Shqipërinë më të mirë”.
Në tentativën e tij për të sfumuar revoltën rinore që po i rrezikon seriozisht pushtetin, Rama, në mënyrë frojdiane, pranoi edhe dështimin e sistemit arsimor të ngritur dhe të strukturuar prej tij dhe qeverive që ka drejtuar prej vitit 2013.
Në revoltën rinore, shumica absolute e pjesëmarrësve janë të rinj gjimnazistë dhe studentë, të cilët, arsimin fillor, të mesëm dhe disa vite nga arsimi i lartë, i kanë kryer dhe po i kryejnë nën katër qeveritë e drejtuara njëra pas tjetrës nga kryeministri Edi Rama.
Gjimnazistët e sotëm kanë qenë maksimumi 5 vjeç, kur “Rilindja” socialiste mori pushtetin. Të tjerët, studentët, kanë qenë maksimumi 10 vjeç. Pra, e gjithë jeta e tyre shkollore është ndërtuar nën sistemin arsimor të qeverive “Rama 1, 2, 3, 4”.
Dhe, sipas kreut të Qeverisë, këta të rinj janë ata që “nuk lidhin dot bashkë 7 fjalë”. Kjo është një vetë-akuzë e Ramës, të cilën nuk mund t’ia bënin më mirë as ata që kanë përballë.
Të rinjtë e shkollave, të cilët kanë dalë sot në protesta kundër sistemit qeverisës, ankohen pikërisht për mungesën e shpresës për të ardhmen e tyre. Ata studiojnë në një sistem që nuk u ofron thuajse asgjë, as laboratorë, as literaturë bashkëkohore, as infrastrukturë normale.
Por, këto mungesa, kryeministri Rama ka zgjedhur t’i injorojë, madje edhe duke i përdorur për t’i intimiduar. Në fakt, e vërteta është se “të rinjtë e Tik-Tok-ut” dinë të lidhin jo “vetëm 7 fjalë”, por kanë treguar se janë në një nivel shumë më të lartë intelektual se sa shumica e deputetëve qesharakë që ka mbledhur kryeministri në Parlament.
Janë pikërisht ata të rinj, të lexuar dhe të informuar, të cilët, edhe pse sistemi arsimor klientelist dhe plagjat i ndërtuar nga “Rilindja” nuk u jep shumë hapësira, kanë gjetur çdo burim të mundshëm ndërkombëtar për të strukturuar mendimet e tyre. /Boldnews.al













