Rama: Po shqyrtojmë uljen e moshës së përgjegjësisë penale dhe ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç

Politikë | 9 minuta më parë

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se qeveria po shqyrton mundësinë e uljes së moshës së përgjegjësisë penale, si dhe masat për kufizimin e përdorimit të rrjeteve sociale nga fëmijët nën 16 vjeç.

Rama u shpreh se ulja e moshës së përgjegjësisë penale është një nga opsionet që po studiohen, duke theksuar se krahas masave ndëshkuese, shteti duhet të punojë edhe për riintegrimin e personave që shkelin ligjin.

Duke iu referuar dhunës gjatë protestave në Tiranë, Rama foli për një paketë të re masash penale dhe administrative ndaj personave që shkaktojnë dëme në pronën publike. Sipas tij, kush dëmton pronën publike duhet të mbajë përgjegjësi dhe të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara.

“Një opsion që po e studiojmë është nëse duhet të ulim moshën e përgjegjësisë penale, siç po bëjnë një sërë vendesh. Por ky është instrumenti i forcës së shtetit, ndërkohë që na duhet edhe instrumenti i këmbënguljes së shtetit për të afruar njerëzit që kanë dalë nga rruga e ligjit. Por kush përdor gurët jo vetëm që nuk ka asnjë shans të imponojë ndonjë axhendë apo ide alternative, por përballet edhe me dy mundësi: ose të shpëtojë falë maskës dhe këmbëve të shpejta, ose të përgjigjet përpara ligjit dhe shoqërisë.

Po përgatisim një paketë masash jo vetëm penale, por edhe administrative, sepse kush dëmton, duhet të paguajë. Kush dëmton pronën publike dhe e detyron qeverinë që paratë e planifikuara për shkollat t’i shpenzojë për riparime, duhet të përballet me ndjekjen e vazhdueshme të shtetit, i cili do t’i kërkojë, një për një, dëmshpërblimet për dëmet e shkaktuara. Gjykata, edhe pse, në këndvështrimin tim, ka lënë shumë për të dëshiruar, i ka konsideruar të ligjshme të gjitha arrestimet. Gjykatësit janë të kompleksuar nga terrori dhe trysnia e madhe e kësaj force të verbër. Ata i kanë konsideruar të ligjshme të gjitha ndalimet e kryera nga policia, edhe pse një numër jo i vogël i të ndaluarve kanë qenë të mitur dhe gjykata ka vendosur mbikëqyrjen prindërore”, tha Rama.

Një tjetër çështje që Rama e cilësoi të nevojshme për t’u adresuar është përdorimi i rrjeteve sociale nga të miturit, veçanërisht në rastet kur ato përdoren për kërcënime dhe cenim të qetësisë së qytetarëve.

“Është koha t’u japim përgjigje pyetjes: Si do ta realizojmë ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët deri në moshën 16 vjeç? Dhe, nga ana tjetër, si do ta trajtojmë këtë masë agresorësh që cenojnë jetën, dinjitetin dhe qetësinë e njerëzve, të cilët, përmes rrjeteve sociale, terrorizojnë, kërcënojnë dhe u marrin qetësinë familjeve?”, tha Rama.

Rama nënvizoi se është i gatshëm të komunikojë me qytetarët dhe të dëgjojë kërkesat e tyre, duke theksuar se dialogu me qeverinë mbetet i hapur.

“Në çdo rast dhe për çdo arsye që kërkohet komunikim me mua apo me qeverinë, ne jemi aty, jemi gati. Unë komunikoj vazhdimisht përmes telefonit tim me njerëzit që më shkruajnë dhe jam gjithmonë i gatshëm të dëgjoj ata që kanë nevojë. Le të vijnë e të më takojnë përballë, të më thonë se duhet të largohem, sepse kanë një qasje tjetër, një program tjetër apo arsye të tjera. Le ta hapim këtë diskutim. Jam i gatshëm, pa kushte, të dëgjoj këdo dhe kurdo”, deklaroi Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme