Edi Rama ka vijuar me kërcënimet kundrejt protestuesve që kërkojnë largimin e tij nga qeveria.
Gjatë takimit me drejtuesit e gjimnazeve të Tiranës, Rama i cilësoi sulmet e protestuesve si një luftë hibride që sipas tij po organizohet nga duar të stërvitura për këtë punë, ndërsa shtoi se qeveria po përgatit një plan masash për ata që dhunojnë, duke parashikuar edhe uljen e moshës së dënimit penal.
Sipas Ramës, gjykata i ka cilësuar arrestimet e të miturve të ligjshme dhe kush shkatërron do të paguajë.
“Po përgatisim një paketë për ata që dhunojnë. Kush dhunon do të ndiqet nga hija e shtetit, që i kërkon një më një dëmshpërblimin. Gjykata, edhe pse në këndvështrimin tim ka lënë për të dëshiruar, i ka konsideruar të gjitha arrestet të ligjshme.
Edhe pse në këtë rast, gjykatësit janë të kompleksuar nga trysnia e madhe e kësaj force të verbër. Edhe në rastet e ndalimit të të miturve gjykata ka dhënë vendim të mbikëqyrjes prindërore. Prindi ka përgjegjësinë e vet, edhe pse jemi të vetëdijshëm se në kushtet e veçanta sociale prindërit duhen ndihmuar, por prindërit do të jenë pjesë e përgjegjësisë së dëmit të shkaktuar nga fëmijët e tyre.
Nuk ka ‘je i mitur dhe nuk mban asnjë përgjegjësi’. Ulja e moshës për dënimin penal është një aspekt që ne po e studiojmë, siç po bën Europa, por ky është instrument i forcës së shtetit. Ne duam të ndjekim aspektin penal, të familjes që i ka këta fëmijë”, tha Rama mes të tjerash.













