Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, kanë zhvilluar një takim ditën e sotme me 25 drejtues të gjimnazeve të Tiranës, në ambientet e Ministrisë së Arsimit.
Në fjalën e saj, ministrja Kumbaro tha se orët dhe programi mësimor do të plotësohen, ndërsa njoftoi se ka ngritur një ekip psikologësh në dispozicion të fëmijëve dhe prindërve. Sipas saj, procesi mësimor ka vijuar normalisht, ndërsa dje pjesëmarrja ka qenë më e lartë se të premten e kaluar.
“Mirënjohje secilit, sepse kanë qenë garancia kryesore e besimit te prindërit. Dje kemi pasur pjesëmarrje më të madhe në shkollë sesa ditën e premte, për shkak të frikës dhe panikut për t’i sjellë fëmijët në shkolla. Secili nga drejtorët, bashkë me mësuesit, psikologët dhe oficerët e sigurisë, kanë qenë non stop.
Është e rëndësishme mbështetja psikologjike për nxënësit. Çdo orë që ua merr dhuna janë orë të vjedhura nga jeta e fëmijëve. Programi dhe orët mësimore do të plotësohen. Kemi bërë përgatitjen psikologjike të stafeve. Gjithashtu, dje kemi ngritur një ekip të dedikuar psikologësh, të cilët do të jenë në dispozicion të fëmijëve dhe prindërve, sepse çdo moment është një traumë.
Në të gjitha shkollat ka vijuar procesi mësimor. Nuk ndodh asgjë në shkolla, por janë grupe jashtë kangjellave që tentojnë të turbullojnë”, u shpreh Kumbaro.
