Një biznesmene izraelito-turke është përballur me një grup aktivistësh pro-palestinezë në një qendër tregtare në Stamboll, ku është fyer dhe penguar teksa po bënte pazar. Ngjarja ka ndodhur të dielën e kaluar, ndërsa pamjet e incidentit janë shpërndarë në rrjetet sociale dhe kanë nxitur reagime, përfshirë edhe një dënim nga Ministria e Jashtme e Izraelit.

Claudia Medina Halfon, e lindur në Izrael dhe me origjinë turke, ndodhej në qendrën tregtare İstinyePark, kur u përball me rreth 25 aktivistë, sipas raportimeve të mediave izraelite. Protestuesit e rrethuan, e filmuan nga afër dhe e akuzuan me thirrje si “terroriste” dhe “vrasëse fëmijësh”, ndërsa kërkuan që ajo të largohej nga Turqia. Në videot e publikuara në rrjetet sociale dëgjohen protestues që bërtasin: “Shikoni, këtu kemi një terroriste në Stamboll” dhe “Nuk duam sionistë në vendin tonë”. Disa prej tyre mbanin telefonat lart për të filmuar biznesmenen, ndërsa të tjerë përpiqeshin t’i bllokonin rrugën.

Sipas raportimeve, para incidentit ishin publikuar thirrje për organizimin e një tubimi në qendrën tregtare, me qëllim protestimin kundër pranisë së Halfon. Mediat izraelite, duke iu referuar Channel 12, raportojnë se ajo ishte kritikuar edhe në rrjetet sociale për sjelljen e ushtarëve të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) në Turqi për pushime. Situata u ndërpre pas ndërhyrjes së rojeve të sigurisë së qendrës tregtare, të cilët e shoqëruan Halfon jashtë zonës, ndërsa ndërhynë edhe ndaj protestuesve. Ministria e Jashtme e Izraelit dënoi të hënën incidentin, duke e cilësuar atë “të turpshëm dhe të papranueshëm”. Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, ministria kritikoi autoritetet turke dhe pretendoi se klima politike në vend po nxit armiqësi ndaj shtetasve izraelitë.

“Turqia po shtron tapetin e kuq për terroristët e Hamasit. Tani, një shtetase izraelito-turke po ngacmohet dhe po i bërtasin në një qendër tregtare në Stamboll”, thuhet në deklaratë. “Kur një qeveri u ofron strehë të sigurt terroristëve, nuk duhet të jetë çudi që urrejtja e tyre gjen jehonë në rrugët e vendit”, shtoi Ministria e Jashtme izraelite. Incidenti vjen në një klimë të tensionuar mes Izraelit dhe Turqisë, ndërsa lufta në Gaza dhe qëndrimet ndaj konfliktit kanë nxitur protesta dhe reagime të forta në të dyja palët.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: