Kristian Shpendi po kalon një moment të shkëlqyer në Itali, ku është shpallur lojtari më i mirë i muajit shtator në Serinë B. Sulmuesi shqiptar ka folur për formën e tij, objektivat me Cesena-n dhe ëndrrën për të ndarë një ditë fushën me vëllain binjak, Stivenin, në fanellën e Kombëtares shqiptare.
Me gjashtë gola në pesë ndeshjet e para të kampionatit, Shpendi ka konfirmuar potencialin e tij, duke u kthyer në një nga protagonistët e Serisë B. Në një intervistë për median italiane “Chiamarsi Bomber”, sulmuesi pranoi se nuk e kishte pritur një nisje kaq të mirë, por theksoi se synimi i tij mbetet të përmirësohet nga sezoni në sezon.
“Nuk kam një objektiv të caktuar për numrin e golave. Preferoj t’i marr gjërat ndeshje pas ndeshjeje dhe të kontribuoj për ekipin”, u shpreh Shpendi, duke nënvizuar se dëshiron të bëhet një pikë referimi edhe më e rëndësishme për shokët e skuadrës.
Megjithatë, pjesa më emocionuese e intervistës lidhej me Kombëtaren shqiptare dhe vëllain e tij binjak, Stivenin. Kristian, i cili ka debutuar zyrtarisht me Shqipërinë, nuk e fshehu dëshirën për të luajtur së bashku me të në arenën ndërkombëtare.
“Mendoj për këtë çdo ditë, është praktikisht një nga qëllimet e mia, edhe me Stivenin flasim për këtë. Do të ishte një ëndërr të grumbulloheshim së bashku, të debutonim dhe të luanim një ndeshje krah për krah, ashtu siç bënë vëllezërit Espozito. Jam i sigurt se për ta ishte një përvojë unike, ndërsa unë dhe vëllai im do të përpiqemi ta realizojmë të njëjtën ëndërr. Nuk kam asnjë dyshim për Stivenin, herët a vonë, do të vijë edhe radha e tij në Kombëtare”, deklaroi sulmuesi.
