Të rinjtë kundër krizës së arsimit dhe kostos së jetesës, pse e gjithë Europa po proteston?

20/10/2026 10:07

Pakënaqësia ndaj gjendjes së arsimit, rritjes së kostos së jetesës dhe krizës së strehimit ka nxjerrë mijëra qytetarë në rrugët e disa vendeve evropiane, përfshirë Francën, Spanjën, Portugalinë dhe Italinë.

Protestat, të cilat në disa raste nisën në mënyrë paqësore, janë shoqëruar edhe me përplasje të dhunshme me policinë, plaçkitje dhe dëmtime të pronave.

Në Francë, nxënësit e shkollave të mesme kanë protestuar kundër mungesës së mësuesve, kushteve të këqija në shkolla dhe problemeve me pranimin në universitete. Demonstratave iu bashkuan edhe qytetarë të tjerë, të cilët shprehën pakënaqësinë për rritjen e çmimeve, veçanërisht të karburanteve, si dhe për përkeqësimin e kushteve ekonomike.

Një nga sindikatat më të mëdha të vendit, Konfederata e Përgjithshme e Punës, ka mbështetur protestat, duke kërkuar uljen e çmimeve, rritjen e pagave dhe përmirësimin e pensioneve. Ndërkohë, qeveria franceze ka njoftuar masa për të përballuar mungesën e stafit arsimor, përfshirë angazhimin e 3 mijë mësuesve zëvendësues.

Në Spanjë, në qendër të protestave është kriza e strehimit. Aktivistët kanë dalë në rrugë kundër rritjes së qirave dhe dëbimeve, duke kërkuar ngrirjen e çmimeve dhe mbrojtje më të madhe për qiramarrësit. Pakënaqësia u shtua pas rastit të një 87-vjeçareje, e cila u dëbua nga banesa e saj pasi fondi i investimeve që e zotëronte i rriti qiranë me 230%. Gruaja ndërroi jetë dy javë më vonë, pasi ishte shtruar në spital.

Qeveria e kryeministrit socialist Pedro Sánchez tentoi të miratonte masa emergjente për strehimin, përfshirë kufizimin e dëbimeve dhe rregullimin e qirave afatshkurtra, por nisma nuk mori mbështetjen e nevojshme në parlament. Ndërkohë, aktivistët kanë paralajmëruar vijimin e protestave dhe një grevë të përgjithshme më 11 nëntor.

Edhe në Portugali, qindra qytetarë u mblodhën në Lisbonë për të protestuar kundër çmimeve të larta të banesave. Sipas të dhënave zyrtare të cituara në raport, çmimet e pronave në vend u dyfishuan nga viti 2015 deri në vitin 2024, me një ritëm afërsisht dy herë më të shpejtë se mesatarja e Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, në Itali, pakënaqësia ekonomike u shndërrua në trazira në Milano dhe qytete të tjera, përfshirë Torinon dhe Bolonjën. Gjatë protestave, grupe demonstruesish të maskuar u përleshën me policinë, hodhën gurë dhe objekte të tjera, si dhe dogjën barrikada. Situata ka nxitur qeverinë italiane të shqyrtojë masa të reja sigurie, përfshirë dërgimin e 500 trupave ushtarake shtesë në Milano.

Protestat kanë përfshirë edhe Shqipërinë, ku demonstratat kundër kryeministrit Edi Rama kanë vijuar prej disa ditësh. Protestuesit kanë shprehur pakënaqësinë për korrupsionin e perceptuar, mungesën e vendeve të punës dhe problemet në sistemin arsimor. Pakënaqësitë lidhen gjithashtu me zhvillimet ekonomike dhe projektet e mëdha të ndërtimit.

Pavarësisht kërkesave të ndryshme nga një vend në tjetrin, protestat kanë një emërues të përbashkët, vështirësitë ekonomike, rritjen e kostos së jetesës dhe pakënaqësinë ndaj shërbimeve publike. Në Francë, megjithatë, përshkallëzimi i dhunës ka shtuar presionin mbi autoritetet, ndërsa presidenti Emmanuel Macron ka bërë thirrje për të dalluar protestuesit paqësorë nga ata që kryejnë akte vandalizmi dhe plaçkitjeje.

Ndërsa qeveritë kanë nisur të shqyrtojnë masa për t’iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve, mbetet e paqartë nëse këto protesta do të sjellin reforma të qëndrueshme apo do të përshkallëzohen më tej në ditët në vijim.

Top Channel