Trazirat në Itali/ 500 ushtarë shtesë në Milano pas dy ditësh dhune, plaçkitjesh dhe përleshjesh

Pas dy ditësh trazirash të dhunshme në Milano, ku pati përplasje mes protestuesve dhe policisë, djegie të kazanëve të mbeturinave, dëmtime pronash dhe plaçkitje dyqanesh, qeveria italiane pritet të angazhojë edhe 500 trupa ushtarakë për sigurinë e qytetit.

Të lidhura

None found

Njoftimin e dha zëvendëskryeministri Matteo Salvini, drejtues i partisë së djathtë Liga. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai deklaroi se qeveria do të kalojë nga deklaratat në veprime konkrete për garantimin e rendit në Milano.

Vendimi pritet të jetë pjesë e paketës së re të sigurisë, e cila do të diskutohet në mbledhjen e kabinetit qeveritar të martën. Ndërkohë, shqetësimi për rikthimin e dhunës ka bërë që shumë biznese në qendër të qytetit të mbyllen më herët, ndërsa vitrinat janë përforcuar me dërrasa dhe panele mbrojtëse.

Gjatë fundjavës, qindra persona, mes të cilëve shumë të dyshuar si të mitur, u përfshinë në akte dhune pas një proteste që kishte nisur në mënyrë paqësore. Tubimi u zhvillua kundër përkeqësimit të shërbimeve publike dhe rritjes së kostos së jetesës.

Ndër objektet e plaçkitura ishin dyqanet sportive Decathlon dhe Arc’teryx, si edhe operatori celular Vodafone. Në zonat tregtare luksoze, përfshirë Via Montenapoleone dhe Galleria Vittorio Emanuele, bizneset hoqën produktet nga vitrinat dhe rritën masat e sigurisë.

Kryeministrja Giorgia Meloni e dënoi dhunën dhe të hënën zhvilloi një takim me ministrat dhe drejtuesit e institucioneve të sigurisë për të analizuar situatën. Ministri i Jashtëm Antonio Tajani tha se qeveria do t’u kundërpërgjigjet me vendosmëri sulmeve ndaj shtetit, duke paralajmëruar edhe masa për kufizimin e dhunës së ushtruar nga të miturit.

Sipas të dhënave të policisë italiane, 271 të rinj u ndaluan gjatë trazirave të së dielës në Milano. Nga personat e shoqëruar në komisariate, 32 u arrestuan, mes tyre 23 të mitur, ndërsa 28 të tjerë u raportuan pranë autoriteteve gjyqësore.

Përplasjet u shtrinë edhe përtej Milanos. Incidente u shënuan në qytete të tjera të veriut të Italisë, si Bolonja, Breshia, Bergamo dhe Torino, ku u arrestuan 28 protestues.

Autoritetet po vlerësojnë edhe ndryshime më të rrepta ligjore, përfshirë zgjatjen e paraburgimit parandalues për të miturit dhe masa kundër grupeve të dhunshme të të rinjve. Këto zhvillime ndodhin në një periudhë kur edhe Franca po përballet me protesta të dhunshme, të nxitura nga pakënaqësia për rritjen e kostos së jetesës dhe dobësimin e shërbimeve publike.


Shtuar më 20.10.2026 10:17

Quantcast