Kryetarja e Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trendafilova, ka deklaruar se institucioni që drejton është përballur me dezinformata lidhur me pavarësinë dhe funksionimin e tij, si dhe me përpjekje për pengimin e drejtësisë dhe frikësimin e dëshmitarëve.
“Që nga themelimi, Dhomat e Specializuara janë përballur me dezinformata lidhur me pavarësinë dhe funksionimin e tyre. Po ashtu, ka pasur përpjekje për të penguar rrjedhën e drejtësisë”, thuhet në deklarimin e saj.
Trendafilova ka theksuar se gjykata garanton të drejtën për gjykim të drejtë, në përputhje me standardet ndërkombëtare, ndërsa vendimet mund të kundërshtohen përmes procedurave të ankimit.
Ajo ka rikujtuar se të akuzuarit kanë shfrytëzuar këto mjete juridike dhe se në disa raste kanë pasur sukses.
“Ndërsa kritika ndaj vendimeve gjyqësore është legjitime në një shoqëri demokratike, sundimi i ligjit kërkon që askush të mos diktojë mënyrën se si gjyqtarët e interpretojnë dhe e zbatojnë ligjin”, ka deklaruar ajo.
Më tej, Trendafilova ka theksuar se Dhomat e Specializuara e ushtrojnë mandatin e tyre në mënyrë të pavarur nga ndikimet politike dhe presionet e jashtme.
“Si institucion gjyqësor i pavarur, Dhomat e Specializuara e ushtrojnë mandatin e tyre pa u ndikuar nga konsideratat politike, preferencat, ndikimet apo ndërhyrjet”, thuhet në deklarim.
Deklarimi i saj vjen pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës, më 6 tetor, të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Ndryshimet synojnë, ndër të tjera, kufizimin e juridiksionit të gjykatës, ndryshimin e periudhës kohore që mbulon dhe përcaktimin e një dënimi maksimal prej 15 vjetësh burgim.