“Studentë ejani të flasim”, Balla: PS dënon dhunën, kryeministri ka ofruar sheshin e dialogut
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka bërë thirrje për dialog me studentët, në ditën e tetë të protestave në Tiranë, ndërsa ka dënuar aktet e dhunës dhe dëmtimet e shkaktuara gjatë tubimeve.
Në një deklaratë pas mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, Balla tha se kryeministri Edi Rama ka ofruar mundësinë e dialogut dhe se kërkesat e studentëve duhet të dëgjohen.
Ai njoftoi se ditën e enjte në Kuvend do të votohet një marrëveshje me Gjermaninë, që sipas tij synon të mundësojë më shumë investime në konvikte.
“Kryeministri ka ofruar sheshin e dialogut, ku unë mendoj që është momenti i duhur për t’u ulur me studentët. Unë mendoj që studentët duhet që të dëgjohen. Kush ka kërkesa që lidhen me studentët, ditën e enjte votojmë në Kuvend një marrëveshje me Gjermaninë për të investuar më shumë në konvikte”, deklaroi Balla.
Kreu i grupit parlamentar socialist u ndal edhe te dëmet e shkaktuara gjatë protestave në bulevard, duke pretenduar se vlera e tyre tejkalon koston e ndërtimit të një korpusi të ri universitar.
Ai kërkoi gjithashtu rifillimin e menjëhershëm të punës së Kuvendit, duke argumentuar se disa projektligje të mbartura nga seanca e kaluar kanë afate përfundimtare miratimi dhe lidhen me piketat e ndërmjetme të dakordësuara me Komisionin Europian.
“Grupi Parlamentar i PS dënon dhunën”, theksoi Balla, duke përsëritur thirrjen për dialog dhe duke deklaruar se në Kryeministri janë vendosur karriget për zhvillimin e bisedimeve.
Gjatë deklaratave të tij, Balla komentoi edhe përplasjet mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit, duke thënë se dy në tre personat e raportuar të plagosur janë punonjës policie.
“Sot, protesta të ngjashme ka në shumë vende në Europë. Dallimi, në Shqipëri, dy ndër tre nga ata të paraqitur të plagosur janë punonjës policie. Në vendet e tjera, numri më i madh janë protestues. Më dhemb shpirti për këdo që lëndohet. Gjaku i Policisë së Shtetit është gjaku i shtetit”, u shpreh ai.
Balla u bëri thirrje prindërve që të mos lejojnë përfshirjen e të miturve në protesta, duke deklaruar se ata nuk duhet të përdoren në tubime të tilla.
“Minorenët nuk duhet të jenë fare aty, prindërit të mos i lejojnë të përdoren mish për top”, tha ai.
Në përfundim, Balla akuzoi organizatorët e protestave për përpjekje për të dëmtuar vendin dhe për të sulmuar institucionet, duke deklaruar se nga aktet e dhunës është dëmtuar edhe godina e Kryeministrisë.




