Studentët në Korçë diskutojnë për përfshirjen në protesta, ende pa një vendim përfundimtar
Studentët e Universitetit Fan Noli të Korçës kanë zhvilluar një takim për të diskutuar mundësinë e përfshirjes në protestat që prej pesë ditësh vijojnë në qytet, ku pjesëmarrës janë kryesisht nxënës të gjimnazeve, por edhe qytetarë.
Pas rreth një ore e gjysmë diskutimesh, studentët kanë shprehur mendime të ndryshme dhe nuk kanë arritur në një vendimmarrje konkrete lidhur me qëndrimin që do të mbajnë.
Burime pranë Këshillit Studentor bëjnë me dije se gjatë takimit ka pasur studentë që kanë kërkuar bojkotimin e procesit mësimor, të tjerë që kanë propozuar t’u bashkohen protestave pas përfundimit të mësimit, ndërsa një pjesë janë shprehur kundër bojkotit dhe pjesëmarrjes në protesta.
As studentët e pranishëm dhe as përfaqësuesit e Këshillit Studentor nuk kanë pranuar të prononcohen për mediat lidhur me diskutimet dhe qëndrimet e mbajtura gjatë takimit.
Sipas të njëjtave burime, Këshilli Studentor pritet të kontaktojë edhe studentët që nuk ishin të pranishëm në takim, për të marrë në konsideratë qëndrimet e tyre dhe për të dalë më pas me një vendim përfundimtar mbi përfshirjen ose jo të studentëve në protestat që po zhvillohen në Korçë.




