Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla u ka bërë thirrje studentëve protestues që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe të zhvillojnë dialog me qeverinë, ndërsa ka njoftuar se të enjten në Kuvend do të votohet një marrëveshje për investime shtesë në konvikte. “Pakti 2.0 për universitetin është tani. Ditën e enjte votojmë në Parlament një marrëveshje për të investuar më shumë në konvikte”, deklaroi Balla.
Ai theksoi se kushtet në konvikte janë përmirësuar ndjeshëm krahasuar me të kaluarën, ndërsa dëmet e shkaktuara gjatë protestave, sipas tij, shkojnë përtej investimeve në infrastrukturën universitare. Balla përsëriti thirrjen për dialog, duke theksuar se qeveria është e gatshme për bisedime. “Thirrja ime është për dialog. Këtu janë vendosur karriget. Gjithçka është gati. Studentët duhet të zgjedhin përfaqësuesit e tyre”, u shpreh ai.
Balla bëri të ditur gjithashtu se Kuvendi do të vijojë punën me një axhendë intensive, ku përfshihen edhe projektligje që lidhen me procesin e negociatave dhe që duhet të miratohen brenda fundit të muajit. Duke komentuar përplasjet gjatë protestave, kreu i grupit parlamentar të PS-së dënoi dhunën ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit.
”Grupi i PS dënon dhunën. Elementi thelbësor këtu është ngritja e dorës kundër Policisë së Shtetit”, deklaroi Balla. Ai krahasoi situatën në Shqipëri me protestat në Francë, duke pretenduar se në vendin tonë shumica e të lënduarve janë punonjës policie. ”Nëse në Francë ¾ të lënduar janë protestues, në Shqipëri 2/3 nga ata që janë lënduar janë punonjës policie. Gjaku i policëve është gjaku i shtetit”, u shpreh ai. Në përfundim, Balla paralajmëroi kundër përdorimit të fëmijëve në protesta për qëllime politike dhe vlerësoi si lajm pozitiv vijimin e procesit mësimor në shkolla. ”Lajmi i mirë sot është që në të gjitha shkollat po bëhet mësim”, përfundoi Balla.
