Qytetarët zviceranë do të mund të aplikojnë për kartën e re të identitetit biometrik duke filluar nga 2 nëntori 2026. Kjo u njoftua nga qeveria federale të martën.

Sipas Fedpol, dokumenti i ri biometrik i identifikimit do të jetë i disponueshëm pranë autoriteteve kantonale përgjegjëse për lëshimin e kartave të identitetit dhe pasaportave, si dhe pranë përfaqësive zvicerane jashtë vendit, raporton 20 minuten.


Karta e re biometrike lehtëson udhëtimin në BE

Karta e re e identitetit zviceran me çip synon t'u mundësojë qytetarëve zviceranë të udhëtojnë brenda Bashkimit Evropian (BE).

Që nga viti 2021, për arsye sigurie, shtetet anëtare të BE-së kanë lëshuar vetëm karta identiteti biometrike. Kartat e identitetit jo-biometrike të lëshuara para hyrjes në fuqi të kartës së re të identitetit biometrik do të mbeten të vlefshme për udhëtime brenda BE-së deri në datën e skadimit të tyre.

Tarifa mbetet e njëjtë

Ashtu si pasaporta biometrike zvicerane, karta e re e identitetit biometrik do të jetë e pajisur me një çip që përmban një imazh të fytyrës dhe dy gjurmë gishtash, transmeton Telegrafi.

Kjo do të ofrojë mbrojtje edhe më të madhe kundër manipulimit dhe falsifikimit.

Tarifa për kartën e identitetit biometrik do të mbetet e njëjtë me atë të kartës aktuale të identitetit pa çip.

Karta biometrike nuk është e njëjtë me e-ID

Karta e identitetit biometrike është e ndryshme nga dokumenti elektronik i identitetit (e-ID).

Karta biometrike është një dokument fizik identiteti dhe udhëtimi. Nga ana tjetër, e-ID është një dokument elektronik identiteti që përdoret për identifikim në botën dixhitale. Megjithatë, ajo nuk është dokument udhëtimi./Telegrafi/