Thirrja e kryeministrit Edi Rama për dialog, pas shtatë ditësh protestash të shoqëruara me përplasje dhe akte dhune, është kundërshtuar nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili e ka krahasuar Ramën me presidentin e Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko.

“Rama si Lukashenko! Diktatorët janë njësoj!”, shkruan Bardhi në një reagim të shkurtër në rrjete sociale.

Sipas deputetit demokrat, ftesat për dialog të Ramës nuk kanë për qëllim zgjidhjen e problemeve, por fitimin e kohës.

Në reagimin e tij Bardhi hedh gjithashtu akuza për vjedhje zgjedhjesh, dhunë dhe kërcënime, duke pretenduar se Rama dhe Lukashenko veprojnë njësoj por edhe fundin e kanë të njëjtë

Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:

“RAMA SI LUKASHENKO!
DIKTATORËT JANË NJËSOJ!

Kur diktatorët flasin për dialog, kërkojnë kohë, jo zgjidhje. Ata vjedhin zgjedhjet njësoj. Dhunojnë njësoj. Kërcënojnë njësoj. Edhe fundin e kanë të njëjtë.”

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:56
Përmbysën karriget e dialogut para Kryeministrisë, Meta përgëzon grupin e pedagogëve: Demonstrim i shkëlqyer!

1791359856_ilirmeta.jpg

Ilir Meta ka dalë në mbështetje të protestës së një grupi pedagogësh në Tiranë, mes të cilëve ishin edhe vajza dhe dhëndri i Sali Berishës, Argita Berisha dhe Jamarbër Malltezi, si dhe figura të tjera të lidhura me PD-në.

Në një postim nga burgu, aleati politik i Berishës e ka cilësuar tubimin një “demonstrim të shkëlqyer të ndërgjegjes shoqërore”, duke falënderuar pjesëmarrësit dhe duke bërë thirrje për mbështetjen e tyre.

Protesta e grupit të pedagogëve u zhvillua pas ftesës së kryeministrit Edi Rama për dialog. Pjesëmarrësit marshuan drejt Kryeministrisë, ku përmbysën karriget e vendosura për dialog dhe grisën pankartat me këtë mbishkrim, ndërsa kërkuan dorëheqjen e kreut të qeverisë.

Postimi i plotë i Ilir Metës:

“Protesta e pedagogëve është një demonstrim i shkëlqyer i ndërgjegjes shoqërore të nivelit më të lartë! Mirënjohje të përzemërt për guximin, dinjitetin dhe zërin e fuqishëm të pedagogëve në mbrojtje të Arsimit, kundër zbrazjes së auditoreve dhe shpopullimit dramatik të Shqipërisë nga të rinjtë. Të mbështesim pedagogët, gjimnazistët, të rinjtë dhe të gjithë fëmijët e Shqipërisë për një arsim cilësor dhe dinjitoz, për një Atdhe të përparuar të njerëzve të ditur. PA RINI NUK KA SHQIPËRI!”