Ten Hag rrëfen katër transferimet e dështuara që kërkoi për Manchester Unitedin

Erik Ten Hag ka kritikuar drejtuesit e Manchester Unitedit për mosrealizimin e transferimeve të Harry Kane dhe Declan Rice gjatë periudhës së tij në “Old Trafford”.

Të lidhura

None found

Trajneri holandez, i cili gjatë tri sezoneve në krye të Unitedit fitoi Kupën e Ligës dhe Kupën FA, u shkarkua në tetor të vitit 2024. Në një intervistë për The Athletic, ai ka treguar detaje rreth disa prej vendimeve kryesore të marra nga klubi gjatë mandatit të tij.

Kane ishte zgjedhja e parë e Ten Hagut për repartin ofensiv, por Manchester Unitedi nuk arriti të bindte sulmuesin anglez, i cili në atë kohë ishte pjesë e Tottenhamit.

“U thashë drejtuesve të Unitedit: ‘Dua vetëm një lojtar dhe ju e dini se për kë bëhet fjalë’”, deklaroi Ten Hag, duke iu referuar Harry Kane.

Sipas tij, ai insistoi që klubi të bënte përpjekje për transferimin e sulmuesit, por nuk mori pjesë në fazën përfundimtare të diskutimeve mes drejtuesve. Kane më pas iu bashkua Bayern Munichut.

“Luftova për këtë transferim. Kisha dëgjuar se ai ishte shumë i interesuar, por nuk fola kurrë me të për këtë çështje. Nuk e di se si shkoi procesi i vendimmarrjes mes drejtuesve. Ata morën një vendim, ndërsa unë nuk i dija të gjitha detajet financiare”, u shpreh holandezi.

Një tjetër emër i kërkuar nga Ten Hagu ishte Declan Rice, i cili në verën e vitit 2023 kaloi te Arsenali për 121 milionë euro, duke u bërë transferimi më i shtrenjtë në historinë e klubit londinez.

Pasi Manchester Unitedi nuk arriti të merrte Frenkie De Jongun nga Barcelona, trajneri e pa mesfushorin anglez si alternativën kryesore. Megjithatë, ai beson se klubi mund të kishte ndërmarrë hapa më të fortë për ta mbyllur marrëveshjen.

“West Hami nuk dëshironte ta linte të largohej. Besoj se mund të kishim bërë më shumë për ta provuar situatën. Ishim në një linjë dhe ata u përpoqën, por nuk e di se si shkoi i gjithë procesi. Te Unitedi të duhen lojtarë të jashtëzakonshëm”, tha Ten Hag.

Ish-trajneri i Manchester Unitedit zbuloi se kishte kërkuar edhe përforcime të tjera në sulm. Në vitin 2022, ai synonte të sillte Brian Brobbeyn nga Ajaxi, me qëllim që të ndihmonte Cristiano Ronaldon, por negociatat nuk u finalizuan.

Klubi anglez kishte shqyrtuar gjithashtu rikthimin e Danny Welbeckut në vitin 2024. Sipas The Athletic, ndryshimet në strukturën drejtuese të Manchester Unitedit bënë që të mos dorëzohej asnjë ofertë zyrtare. Ten Hag konfirmoi se kishte pasur kontakte dhe se sulmuesi ishte i interesuar për një rikthim.


Quantcast