Është zbardhur dëshmia e N. Manzit, 40-vjeçarit të dyshuar për vrasjen e dy vëllezërve, Selam dhe Nazmi Islamaj, si dhe plagosjen e Shefqet Islamajt, në ngjarjen e rëndë të ndodhur një ditë më parë në Kamëz.
Mësohet Manzi ka deklaruar para hetuesve se konflikti nisi për shkak të punimeve që po kryenin vëllezërit Islamaj. Ai pretendon se ishte shqetësuar nga kalimi i betonieres përpara banesës së tij dhe u kishte kërkuar atyre të përdornin një rrugë alternative.
Sipas dëshmisë së tij, automjetet e rënda duhej të kryenin disa manovra për të kaluar në atë zonë, ndërsa kërkesa e tij ishte kundërshtuar nga vëllezërit.
40-vjeçari ka pretenduar gjithashtu se Sh. Islamaj kishte shtyrë dhe goditur prindërit e tij. Pasi mësoi për këtë ngjarje, Manzi deklaron se ka goditur Sh. Islamajn, ndërsa më pas në konflikt janë përfshirë edhe dy vëllezërit e tij.
Përplasja ka përshkallëzuar deri në përdorimin e armës së zjarrit. Sipas versionit të dhënë prej tij, Manzi ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar ndaj vëllezërve.
Si pasojë e të shtënave, S. dhe N. Islamaj humbën jetën, ndërsa Sh. Islamaj mbeti i plagosur.
