Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, ka publikuar një video-mesazh në të cilin ka mbrojtur pavarësinë e gjykatës, duke theksuar përkushtimin e institucionit ndaj sundimit të ligjit, gjykimit të drejtë dhe mbrojtjes së dëshmitarëve e viktimave.

Në video-mesazh, Trendafilova ka përmendur gjithashtu rastet e frikësimit të dëshmitarëve, duke thënë se përpjekjet për të penguar drejtësinë kanë çuar në dënime dhe pranime të fajësisë.



E lidhur me këtë kanë reaguar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Të pretendosh se një gjykatë ka të drejtën e zgjedhjes së ligjit që rregullon veprimtarinë e saj, është jo vetëm e çuditshme, por edhe qesharake. Këto pretendime i lexuam në komunikatën e znj. Trendafilova.

Zonja në fjalë, duhet të dijë se në Kosovë, ligjet i miraton Kuvendi. Vet Dhomat e Specializuara ekzistojnë sepse u krijuan nga Kuvendi, andaj ato nuk kanë pushtet mbi institucionin që i themeloi”, thuhet në reagim.

OVL e UÇK-së thekson se Trendafilova duhet ta dijë se t'i mbash leksione Kuvendit për sundimin e ligjit, përderisa e trajton interpretimin personal si të padiskutueshëm, është arrogancë.

“Kritika ndaj vendimeve gjyqësore është e drejtë legjitime dhe nuk do të heqim dorë prej saj. Asnjë vendim gjyqësor nuk mund ta fshijë të vërtetën se Lufta Çlirimtare ishte e drejtë.

Lirinë e Kosovës e fituan ata që u ngritën kundër gjenocidit, dhe shtetësia e Kosovës qëndron mbi sakrificën e tyre. Andaj, gjykatat asnjëherë nuk duhet të shndërrohen në institute historie, por duhet që me dinjitet e profesionalizëm ta kryejnë punën për të cilën janë mandatuar. Fatkeqësisht, në rastin e Dhomave të Specializuara kanë munguar që të dyja, edhe dinjiteti, edhe profesionalizmi”, thuhet në reagimin e OVL e UÇK-së. /Telegrafi/