Tremujori i tretë, bankat lehtësuan standardet e kreditimit për SME-të
Standardet e kreditimit për bizneset u raportuan disi të lehtësuara në tremujorin e tretë të vitit 2016.
Vrojtimi i Aktivitetit Kreditues, i Bankës së Shqipërisë, tregoi se lehtësimi erdhi sidomos në kreditë për biznesin e vogël e të mesëm.
Kushtet dhe termat e përgjithshëm mbi kreditë e reja disbursuar bizneseve u lehtësuan disi në tremujorin e tretë, nëpërmjet zbatimit të kërkesave më të ulëta për kolateral. Marzhet e aplikuara mbi kreditë me rrezik u raportuan më të larta, por balanca neto e këtij treguesi ishte minimale. Elementet e tjera joçmim nuk patën ndryshime nga një tremujor më parë.
Në gjykimin e bankave, trysnia e shtuar nga konkurrenca në sistem bankar i ka bërë ato të shfaqin një tolerancë më të lartë kundrejt marrjes përsipër të rrezikut. Sipas bankave, kushtet e termat e kreditimit për bizneset u mbështetën pozitivisht edhe nga Programi i Financimit për Biznesin e Vogël e të Mesëm.
Nga ana tjetër, standardet e kreditimit u raportuan të pandryshuara për biznesin e madh dhe për të dyja llojet e përdorimit të kredisë mbulimin e nevojave për likuiditet dhe financimin e investimeve.
Në kahun lehtësues të standardeve të kreditimit u raportuan kostot dhe kufizimet më të ulëta nga bilanci dhe konkurrenca në sistem bankar. Në kahun shtrëngues ndikoi rreziku i perceptuar nga ana e bankave lidhur me: situatën makroekonomike dhe perspektivën për të; si edhe me aftësinë paguese të kredimarrësve.
Gjithashtu, shkalla e miratimit të kredive për bizneset u raportua disi më e lartë në tremujorin e tretë. Faktori kryesor që ndikoi në këtë drejtim ishin pasqyrat financiare të bizneseve. Elementet e tjera që ndikojnë shkallën e miratimeve patën ndryshime minimale.
Kërkesa për kredi e bizneseve u raportua në rritje në tremujorin e tretë në të gjitha segmentet e madhësisë së biznesit dhe në çdo lloj qëllimi përdorimi të kredisë.
Rritja e kërkesës për kredi u mbështet nga nevojat më të larta për financimin e investimeve dhe inventarëve të kapitalit qarkullues. Po ashtu, në gjykimin e bankave, treguesit e besimit të biznesit dhe niveli i përgjithshëm i normave të interesit ishin faktorë që mbështetën zgjerimin e kërkesës për kredi në këtë tremujor. Nga ana tjetër, situata aktuale ekonomike dhe pritjet për të ndikuan në kahun rënës të kërkesës për kredi të bizneseve në tremujorin e tretë.
Në tremujorin e fundit, standardet e kreditimit priten të mbeten të lehtësuara për biznesin e vogël e të mesëm. Nga ana tjetër, ato priten të qëndrojnë thuajse të pandryshuara për biznesin e madh, në kreditë për financimin e investimeve, si dhe në kreditë për mbulimin e nevojave për likuiditet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









