Italia dislokon 500 ushtarë në Milano pas trazirave, qeveria Meloni përgatit masa të reja sigurie
Qeveria italiane ka vendosur të forcojë praninë ushtarake në Milano me 500 efektivë shtesë, pas përplasjeve të dhunshme dhe plaçkitjeve që kanë përfshirë qytetin gjatë ditëve të fundit. Ekzekutivi i kryeministres Giorgia Meloni po përgatit gjithashtu një paketë të re masash për rendin publik, që pritet të shqyrtohet në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të martën.
Sipas agjencisë italiane të lajmeve LaPresse, mbledhja e qeverisë është parashikuar për orën 17:30, ndërsa masat në shqyrtim përfshijnë zgjerimin e operacionit të sigurisë “Strade Sicure”, ashpërsimin e ndëshkimeve për dëmtimin e pronës gjatë protestave dhe forcimin e kompetencave të autoriteteve për parandalimin e trazirave.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, deklaroi se 500 ushtarët që do të vendosen në Milano do të kenë edhe kompetenca të policisë gjyqësore, me synimin për të garantuar sigurinë dhe vijimin e aktivitetit tregtar.
Masat vijnë pas një fundjave të shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, dëmtime të pronës dhe plaçkitje të aktiviteteve tregtare. Situata ka detyruar një numër dyqanesh në Milano të ndërpresin përkohësisht aktivitetin.
Sipas LaPresse, dekreti që po përgatitet nga qeveria mund të përfshijë ndalimin parandalues deri në 24 orë, arrestime të mëvonshme brenda 48 orëve për persona të përfshirë në akte të rënda dhune gjatë demonstratave, si dhe krijimin e dispozitave të reja penale për dëmtimin e rëndë të pronës.
Përpara mbledhjes së qeverisë, Meloni zhvilloi të hënën një takim të jashtëzakonshëm me zëvendëskryeministrat, ministrat përgjegjës për rendin dhe sigurinë, si dhe drejtuesit e policisë dhe shërbimeve të inteligjencës.
Ndërkohë, kryebashkiaku i Milanos, Giuseppe Sala, ka shprehur shqetësim për mundësinë e trazirave të tjera gjatë fundjavës së ardhshme. Ai ka theksuar se përballimi i situatës nuk mund të mbështetet vetëm te masat represive, duke kërkuar trajtimin edhe të shkaqeve sociale të pakënaqësisë.
Qeveria ka deklaruar se synon të garantojë të drejtën për protesta paqësore, ndërsa do të forcojë ndërhyrjet ndaj akteve të dhunës, plaçkitjeve dhe dëmtimit të pronës publike e private.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









