Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar pas adresimit të sotëm të kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, e cila foli për pavarësinë e këtij institucioni dhe të gjyqtarëve në Hagë.
Të lidhura
None found
Përmes një reagimi publik, OVL-UÇK i ka kujtuar Trendafilovës se kompetenca për miratimin e ligjeve në Kosovë i takon Kuvendit.
Sipas organizatës, është e pazakontë dhe qesharake të pretendohet se një gjykatë mund të përcaktojë vetë ligjin që rregullon veprimtarinë e saj. OVL-UÇK thekson se Dhomat e Specializuara u krijuan nga Kuvendi i Kosovës dhe, për këtë arsye, nuk mund të kenë pushtet mbi institucionin që i themeloi.
Organizata ka deklaruar gjithashtu se Trendafilova nuk mund t’i japë leksione Kuvendit për sundimin e ligjit, ndërkohë që, sipas saj, e paraqet interpretimin personal si të pakundërshtueshëm. Një qasje e tillë, thuhet në reagim, përbën arrogancë.
OVL-UÇK ka theksuar se kritikat ndaj vendimeve gjyqësore janë një e drejtë legjitime dhe se nuk do të heqë dorë prej tyre. Sipas organizatës, asnjë vendim gjykate nuk mund ta mohojë faktin se Lufta Çlirimtare ishte e drejtë, ndërsa liria dhe shtetësia e Kosovës u ndërtuan mbi sakrificën e atyre që u ngritën kundër gjenocidit.
Në përfundim, OVL-UÇK ka vlerësuar se gjykatat nuk duhet të shndërrohen në institute historie, por duhet ta përmbushin me dinjitet dhe profesionalizëm misionin për të cilin janë mandatuar. Për Dhomat e Specializuara, organizata pretendon se këto dy elemente kanë munguar.






