Policia e Vlorës ka zhvilluar një aksion në lidhje me ngjarjen e së hënës, kur automjetit të kryetarit të Njësisë Administrative Shushicë, Igli Bimaj, iu vendos një sasi e dyshuar lënde plasëse, tritol.
Sipas burimeve nga Policia e Vlorës, gjatë operacionit janë shoqëruar katër persona, ndërsa dy prej tyre mësohet se janë vënë në pranga. Të shoqëruarit dhe të arrestuarit dyshohet se janë nga Tirana.
Në kuadër të veprimeve hetimore, policia ka bllokuar edhe një automjet, i cili dyshohet se mund të ndihmojë në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e personave të përfshirë.
Një burim nga grupi hetimor bëri me dije se personat nga Tirana kishin mbërritur në Vlorë. Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të përcaktuar rolin e secilit prej personave të shoqëruar në vendosjen e dyshuar të lëndës plasëse.












