“Përdorimi i dhunës e ka zhdukur dialogun!”. Pedagogët refuzojnë lutjen e kryeministrit Rama për bisedime, por i bëjnë thirrje për dorëheqje dhe ndalimin e dhunës policore ndaj studentëve të tyre.
Qindra pedagogë nga universitete të ndryshme të vendit iu bashkuan të martën studentëve në protestën e tyre duke kërkuar ndalimin e dhunës policore ndaj të rinjve që ka shënuar nivele shqetësuese proporcionale në ditët e fundit.
Njëzëri ata i bënë thirrje qeverisë të ndalojë dhunën jopropocionale të ushtruar nga policia e shtetit ndaj të rinjve në ditët e fundit gjatë demonstratave të studentëve, nxënësve dhe të rinjve në qytet.
Me thirrjet “dorëheqje” pedagogë, profesionistë të fushave të ndryshme, prindër e studentë nisën marshimin nga shkallët e universitetit Politeknik drejt kryeministrisë, në hapësirë që prej 7 ditësh mbrohet me gaz lotsjellës, ujë me presion dhe plumba manovër nga policia që nuk lejon protestuesit të afrohen.
Në një peticion të shpërndarë online, i iniciuar nga Forumi Dialogut Politik, 1350 pedagogë firmosën një deklaratë të përbashkët ku i bënin thirrje kryeministrit Edi Rama që të dëgjojë kërkesat e studentëve dhe t’i hapë rrugë paqëtimit të vendit.
“Kërkojmë dorëheqjen e tij dhe krijimin e një qeverie kujdestare, e cila të sigurojë stabilitetin institucional, qetësimin e situatës dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve”- është një nga kërkesat e pedagogëve.
Ata u përballën në shkallët e kryeministrisë me disa karrige me shënimet ‘dialog’ të vendosura nga kryeministri Rama.
Rama kishte nxjerrë drejtoreshën e Agjencisë për Media e Informim, Manjola Hasa, e cila në formë lutëse u kërkonte pedagogëve të pranonin të uleshin me kryeministrin, por akti i saj u cilësua si provokim nga pedagogët.
“Largohu që këtu, se provokon protestën”, iu përgjigj pedagogu Aleksandër Kovaçi, i cili është dhe drejtues i Sindikatës së Pedagogëve.
Ai tha për mediat se “përdorimi i dhunës e ka zhdukur dialogun”.
“Njerëzit kanë 5 muaj që po protestojnë, dhe nuk ka asnjë lloj dialogu. Sot nuk është kohë për dialog, është koha për dorëheqje dhe ato karrige janë për t’u thyer”- shtoi Kovaçi.
Pedagogët kërkuan distancim nga përdorimi i dhunës nga protestuesit, por dënuan dhunën policore si jopropocionale dhe bënë apel që të ndalohej përdorimi i saj ndaj të rinjve.
Poetja dhe botuesja Rita Petro tha për mediat se i ishte bashkuar këtij tubimi për të shprehur qëndrimin e saj kundër dhunës. Por, shtoi ajo, “të rinjtë janë më të pambrojturit, kështu që më tepër do të jemi në anën e të rinjve”.
Artisti Ardian Isufi, pedagog i Akademisë së Arteve, shprehu distancimin nga çdo akt dhune, por shtoi se dhuna e ushtruar ndaj të rinjve ishte e paimagjinueshme për një vend të Europës.
“Shteti duhet të jetë i kujdesshëm para rinisë tonë që janë ngritur për të drejtat e tyre”, tha Isufi, duke apeluar për strategji të re kombëtare për arsimin.
Një tjetër pedagog bëri thirrje që të gjithë akademikët duhet të jenë në mbështetje të studentëve dhe zëri i tyre duhet të dëgjohet sot më shumë se kurrë.
“Çdo akt i dhunshëm është i dënueshëm, por në revolta popullore do të ketë përshkallëzim nga ana e protestuesve”, tha ai, duke shtuar se “përdorimi joproporcional i forcës nga policia është vepër penale shumë e rëndë”./Reporter.al





