
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar nga protesta e studentëve, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për qëndrime të dyfishta ndaj protestuesve dhe personave të përfshirë në korrupsion apo shpërdorim detyre.
Zhupa u shpreh se studentët dhe të rinjtë nuk po tërhiqen përballë kërcënimeve, ndërsa akuzoi kryeministrin se po përdor paralajmërimin për burg ndaj të miturve që kanë dalë në protestë.
Deputetja demokrate kritikoi gjithashtu qëndrimin e Ramës lidhur me propozimet për ndryshime ligjore që prekin dënimet për korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës.
“Kush sakrifikon lirinë për pak siguri, i humbet të dyja dhe nuk e meriton asnjërën. Ky është thelbi i protestës së studentëve, të cilët nuk tërhiqen nga kërcënimet e Edi Ramës për sigurinë e tyre, për lëvizjen e tyre apo për burgun që i tregoi sot të gjithë të miturve”, deklaroi Zhupa.
Më tej, ajo iu referua qëndrimit të kryeministrit për dënimet për korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës, duke e vënë atë në kontrast me deklaratat ndaj të rinjve që protestojnë.
“I njëjti kryeministër që para 10 ditësh tha të heqin burgun për ata që vjedhin, për ata që shpërdorojnë detyrën, për ata që bëjnë korrupsion. Sot kërcënonte fëmijët e shqiptarëve pse protestojnë”, u shpreh deputetja.
Në përfundim, Zhupa u bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.
“Më të shumtë të jemi në shesh, më të shumtë do të jemi. Rama, jep dorëheqjen! Fundi yt është shumë i shpejtë”, përfundoi ajo.