Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka marrë të pandehur për herë të dytë ish-zv.kryeministren dhe ish-ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ndërsa i ka komunikuar dhe akuzat e reja që rëndojnë ndaj saj.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Balluku përballet me pesë kategori veprash penale, që lidhen me shkeljet në tenderat publikë, korrupsionin, deklarimin e pasurisë dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.
Akuza kryesore është ajo e shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, në bashkëpunim, e kryer në nëntë raste, ndërsa përveç kësaj, SPAK i ka komunikuar Ballukut akuzën e korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, si dhe atë të korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë.
Në dosje përfshihen edhe dy raste të dyshuara të mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurive dhe interesave privatë.
Një tjetër akuzë lidhet me pastrimin e produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, në lidhje me dy pasuri të paluajtshme.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka komunikuar sot, më 20.10.2026, të pandehurës Belinda Balluku akuzat përfundimtare për veprat penale të mëposhtme:
“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim (nëntë herë), parashikuar nga neni 258/2 e 25 i Kodit Penal.
“Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.
“Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
“Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, (dy herë), parashikuar nga neni 257/a, paragrafi i 2-të i Kodit Penal.
“Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar neni 287, gërma “b” i Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal (për dy pasuri të paluajtshme).
Prokuroria e Posaçme po vijon veprime konkrete procedurale për t’i komunikuar akuzat edhe personave të përfshirë në të njëjtën çështje penale. Detaje të tjera do të bëhen të ditura në një moment të mëvonshëm”,- thuhet në njoftimin e SPAK.
Kujtojmë se ish-numri dy i qeverisë Rama u mor fillimisht e pandehur për shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera, në lidhje me procedurën e prokurimit për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë. Më pas, hetimet u zgjeruan edhe në shtatë procedura të tjera prokurimi, që lidhen me projekte të Unazës së Madhe të Tiranës.
Ndërkohë, në qershor të këtij viti, SPAK njoftoi se hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministres kishin zbuluar dyshime të reja për korrupsion pasiv dhe pastrim të produkteve të veprës penale, pas sekuestrimit të një vile në kompleksin turistik “White Rocks”, në Dhërmi. Sipas prokurorisë, vila, me vlerë të dyshuar prej 145 mijë eurosh, mund të jetë përfituar në këmbim të favorizimit të kompanisë “Eurocol” në një procedurë prokurimi të zhvilluar nga Albcontrol, në kohën kur Balluku drejtonte këtë institucion.
Në shtator, SPAK njoftoi një tjetër zhvillim në hetimin pasuror, duke kërkuar dhe siguruar sekuestrimin e një vile në kompleksin “Green Coast”, në Palasë. Sipas dyshimeve të prokurorisë, pasuria zotërohej faktikisht nga Balluku, por ishte regjistruar në emër të ish-futbollistit Igli Tare, me qëllim fshehjen e pronësisë reale. Hetuesit dyshojnë se kjo pasuri lidhet me favorizimin e kompanisë “Alko Impex General Construction”, pjesë e bashkimit të operatorëve që fitoi tenderin për Lotin 7 të Unazës së Madhe të Tiranës.
Pas këtyre zhvillimeve, hetimet u zgjeruan edhe me dyshimet për fshehje të pasurisë dhe pastrim parash, ndërsa sot SPAK i ka komunikuar Ballukut akuzat përfundimtare, përfshirë korrupsionin pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë dhe dy raste të mosdeklarimit ose fshehjes së pasurisë.
Po ashtu Prokuroria e Posaçme i ka komunikuar sot ish-numrit dy të qeverisë Rama, zgjatjen e hetimeve ndaj saj, deri në muajin janar të vitit të ardhshëm.













