Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka komunikuar zyrtarisht Belinda Ballukut akuzat përfundimtare në kuadër të një çështjeje penale.
Sipas njoftimit zyrtar, Balluku është paraqitur sot, më 20 tetor, në ambientet e SPAK-ut, ku i janë komunikuar akuzat për pesë vepra penale, që lidhen me shkeljen e barazisë në tendera, korrupsionin pasiv, deklarimin e rremë të pasurisë dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.
Konkretisht, akuzat e ngritura ndaj saj janë:
- Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, në bashkëpunim, në nëntë raste.
- Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike.
- Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë.
- Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurisë dhe interesave privatë, në dy raste.
- Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, lidhur me dy pasuri të paluajtshme.
Në njoftim, SPAK bën me dije se po vijon veprimet procedurale për t’u komunikuar akuzat edhe personave të tjerë të përfshirë në të njëjtën çështje penale.
Prokuroria e Posaçme njofton se detaje të tjera për çështjen do të bëhen publike në një moment të mëvonshëm.
