Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka vlerësuar në maksimum përballjen me Paris Saint-Germain në Champions League, duke e cilësuar si një nga ndeshjet më të rëndësishme të futbollit europian. Kreu i klubit katalanas beson se të dyja skuadrat janë ndër më të përgatiturat e momentit dhe se kjo sfidë do të tregojë nivelin e tyre të vërtetë.
Gjatë mbërritjes në restorantin “Pavillon Ledoyen” në Paris, ku ishte organizuar një drekë mes drejtuesve të dy klubeve, Laporta nuk i kurseu vlerësimet për kundërshtarin, duke theksuar rëndësinë e kësaj përballjeje.
“Është ndeshja më e mirë që mund të luhet në Europë, mes dy skuadrave më të përgatitura, Barcelonës dhe Paris Saint-Germain”, deklaroi presidenti i katalanasve.
Laporta u ndal edhe te kalendari i ngjeshur, duke theksuar se Barcelona duhet të ruajë përqendrimin, pasi e pret edhe një sfidë shumë e rëndësishme në kampionat.
“Gjëja më e rëndësishme është e tashmja. Ndeshja e së dielës është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse kemi shumë për të fituar në kampionat. Sot, secila skuadër do të mund të kuptojë nivelin e saj të vërtetë në raport me futbollin europian”, u shpreh ai.
Sa u përket mungesave për shkak të dëmtimeve, Laporta ishte i qartë: nuk ka vend për justifikime. Barcelona do të jetë pa Eric Garcían dhe Jules Koundén, ndërsa PSG-së do t’i mungojë Nuno Mendes.
“Janë rrethana që ndodhin. Edhe PSG-ja ka mungesat e veta, por e di që Flick ka kërkuar tashmë zgjidhje që mungesat të mos ndikojnë në ekip”, theksoi Laporta.
