Sindikata e Pedagogëve ka marrë vendimin zyrtar për të bllokuar procesin akademik në të gjithë vendin, duke shpallur bojkot të plotë të mësimit në të gjitha universitetet publike filluar nga dita e nesërme.
Vendimi ekstrem është marrë nga kryesia e sindikatës pas një mbledhjeje urgjente, si përgjigje ndaj situatës së krijuar me protestat studentore dhe mospërmbushjes së kërkesave të tyre nga ana e qeverisë.
Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi, bëri të ditur hapat e mëtejshëm të përshkallëzimit të lëvizjes akademike:
“Në orën 10:00 do të mblidhemi te Universiteti Politeknik i Tiranës, pas së cilës pedagogët me studentët do të marshojnë sërish drejt Kryeministrisë.”
Vendimi për bojkot të përgjithshëm pritet të pezullojë të gjithë aktivitetin mësimor dhe kërkimor në arsimin e lartë, ndërsa pedagogët e studentët paralajmërojnë përshkallëzim të mëtejshëm të marshimeve ditore në kryeqytet.









