Dhuna në protesta, Gjykata e Tiranës vlerëson të ligjshëm arrestimin e 12 të dyshuarve, por urdhëron lirimin e tyre dhe jep masa shtrënguese

Aktualitet | 15 minuta më parë

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka marrë sot në shqyrtim kërkesat e organit të akuzës për caktimin e masave të sigurimit personal ndaj 12 personave të arrestuar në flagrancë. Përmes një komunikimi zyrtar për mediat, trupa gjyqësore bëri me dije se të hetuarit dyshohen për konsumimin e veprave penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Shkatërrimi i pronës”.

Sipas njoftimit zyrtar të institucionit, seanca u zhvillua mbi kërkesat e paraqitura nga Prokuroria “për vleftësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë të shtetasit dhe caktimin e masës shtrënguese të sigurimit personal ndaj personave nën hetim”. Të gjithë personat e përfshirë në këtë proces u përfaqësuan nga avokatë mbrojtës të zgjedhur gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Pasi dëgjoi pretendimet e palëve dhe argumentet e akuzës, togat e zeza vendosën vleftësimin si të ligjshëm të arrestimit në flagrancë për të 12 personat nën hetim (G. P., R. H., M. M., R. R., R. M., B. M., E. Q., K. M., A. M., H. N., F. M. dhe K. F.). Megjithatë, Gjykata refuzoi kërkesën e Prokurorisë për masën e “Arrest në shtëpi” për dy prej tyre, duke caktuar masa më të buta sigurimi personal.

Për 11 nga të hetuarit, Gjykata caktoi masën e sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, ndërsa për shtetasin R. H. u caktua gjithashtu edhe masa e “Ndalimit dhe detyrimit të qëndrimit në një vend të caktuar”. Në vendim specifikohet se shtetasi R. H. “të mos afrohet dhe të mos qëndrojë në një distancë më të vogël se 100 metra në ndërtesa të institucioneve publike, si dhe të ndalohet që të qëndrojë në sheshe dhe mjedise publike ku zhvillohet çdo grumbullim, tubim apo manifestim publik, pa autorizimin paraprak të kësaj gjykate”.

Në përfundim të seancës, trupa gjyqësore urdhëroi lirimin e menjëhershëm të të gjithë personave nga ambientet e izolimit. Siç citohet në vendim, Gjykata urdhëroi “lirimin e menjëhershëm të personit nën hetim, nëse nuk mbahet apo nuk duhet të mbahet për efekt të ndonjë mase tjetër sigurimi apo vendimi dënimi”.

Të gjithë të hetuarit janë të detyruar të paraqiten pranë Prokurorisë Tiranë “të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 10:00”. Nga ana tjetër, Policia Gjyqësore është ngarkuar me ekzekutimin e menjëhershëm të këtij vendimi. Palët mbrojtëse kanë të drejtën e ankimit kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda 5 ditëve nga dita e nesërme e njoftimit.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme