Presidenti amerikan Donald Trump po përpiqet të bindë Ukrainën të pranojë një marrëveshje paqeje me Rusinë, e cila parashikon lëshime territoriale në rajonin e Donbasit, raporton gazeta amerikane “The New York Times”.
Sipas raportimit, administrata amerikane po i ofron Kievit perspektivën e përfitimeve ekonomike në këmbim të pranimit të një marrëveshjeje që do t’i jepte fund luftës.
Trump, sipas gazetës, po ushtron presion ndaj presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për të pranuar një zgjidhje të tillë. Argumenti i tij është se mbajtja e territoreve të pushtuara në rajonet lindore të Ukrainës nuk e justifikon koston e vazhdimit të konfliktit.
Në këtë kuadër, Uashingtoni vlerëson se Ukraina mund të përfitojë ekonomikisht nëse heq dorë nga kundërshtimet ndaj marrëveshjes, edhe në rast se kushtet e saj përputhen kryesisht me kërkesat e Rusisë.
Çështja e territoreve mbetet një nga pengesat kryesore në përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes Moskës dhe Kievit.


