Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar mbledhjen urgjente të Kuvendit të Shqipërisë në seancë plenare për të diskutuar protestën e studentëve dhe të rinjve, kërkesën e tyre për largimin e kryeministrit Edi Rama, si dhe aktet e dhunës që, sipas PD-së, janë ushtruar nga Policia e Shtetit ndaj të miturve, studentëve dhe protestuesve.
Në kërkesën drejtuar Kuvendit, deputetët e opozitës theksojnë se prej tetë ditësh studentët dhe të rinjtë vijojnë protestën kundër qeverisë, duke artikuluar si kërkesë kryesore largimin e kryeministrit Edi Rama.
Sipas PD-së, gjatë protestave janë konstatuar akte të rënda dhune nga efektivët e policisë, të cilat nuk kanë kursyer as të miturit, gratë dhe vajzat. Në njoftimin për shtyp përmenden dëmtime fizike, përfshirë fraktura të gjymtyrëve, dëmtime në kokë dhe lëndime të tjera trupore, si dhe dëmtime që, sipas demokratëve, janë shkaktuar nga përdorimi i plumbave të gomës dhe lëndëve kimike.
Grupi parlamentar i PD-së shpreh gjithashtu shqetësimin për mungesën e llogaridhënies institucionale lidhur me veprimet e policisë. Sipas deputetëve demokratë, një pjesë e konsiderueshme e efektivëve të angazhuar gjatë protestave nuk mbanin mjete identifikimi.
Në kërkesë kritikohet edhe anulimi i seancës plenare të parashikuar, për të cilën, sipas PD-së, nuk është dhënë njoftim paraprak apo shpjegim i arsyetuar.
Duke iu referuar nenit 31 të Rregullores së Kuvendit, deputetët demokratë kërkojnë që seanca plenare të zhvillohet brenda ditës së sotme ose, alternativisht, të mërkurën, me një rend dite të kufizuar në diskutimin për protestën dhe dhunën e pretenduar policore.
“Diskutimi mbi protestën e studentëve dhe të rinjve, kërkesën e tyre për largimin e Kryeministrit Edi Rama, si dhe aktet e dhunës së ushtruar nga Policia e Shtetit ndaj të miturve, studentëve dhe të rinjve”, thuhet në pikën e propozuar të rendit të ditës.
PD argumenton se Kuvendi ka detyrimin kushtetues dhe institucional të garantojë transparencën, llogaridhënien dhe shqyrtimin parlamentar të situatës, si dhe të kërkojë përgjegjësi për çdo shkelje të ligjit që mund të konstatohet. Në përfundim, grupi parlamentar i kërkon Kuvendit të marrë masa për shqyrtimin urgjent të kërkesës dhe thirrjen e seancës plenare.





