Qeveria miratoi me shpejtësi mbrëmë vonë (19 tetor) vendimin për shpërblimin me 269 mijë lekë të 2,750 punonjësve të Policisë së Shtetit, por akti ngre pikëpyetje mbi respektimin e procedurave ligjore dhe mundësinë e zbatimit të tij. Efekti financiar i vendimit llogaritet në 740 milionë lekë, rreth 8.15 milionë euro, të cilat do të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
Mësohet se Ligji për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor parashikon që përdorimi i fondit rezervë të miratohet nga Këshilli i Ministrave me kërkesë të ministrit përgjegjës për financat. Megjithatë, në vendim rezulton të jetë shënuar propozimi i ministrit të Brendshëm, çka ngre pikëpyetje mbi respektimin e procedurës ligjore.
Një tjetër problem lidhet me hyrjen në fuqi të aktit. Neni 117 i Kushtetutës dhe neni 11 i Ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Qendrës së Botimeve Zyrtare përcaktojnë rregullat për botimin dhe hyrjen në fuqi të akteve normative. Sipas informacionit të bërë publik, formati elektronik i Fletores Zyrtare nuk ka funksionuar prej një jave, duke ngritur pikëpyetje mbi publikimin e vendimit dhe momentin kur ai mund të prodhojë efekte juridike.
Në lidhje me këtë ka reaguar dhe gazetarja Ola Xama, e cila ka publikuar dokumentet e miratimit të VKM-së si dhe shkeljet e bëra nga qeveria. Gazetarja shtron pyetjen se mbi çfarë baze ligjore do të veprojnë degët e thesarit për të kaluar fondet, nëse vendimi nuk ka hyrë ende në fuqi dhe procedura e miratimit nuk është ndjekur sipas kërkesave ligjore.
"Një ditë më parë Këshilli i Ministrave miratoi me shpejtësi vendimin për shpërblimin me 269 mijë lekë të 2750 punonjësve të Policisë së Shtetit. Efekti financiar në buxhetin e shtetit prej 740 milion lekë (8.15 milion euro) do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Ligji për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor lejon që përdorimi i fondit rezervë të miratohet nga qeveria me kërkesë të Ministrit të Financave, dhe jo atij të Punëve të Brendshme siç ka ndodhur dhe shkruhet në kokën e vendimit. Pasi akti publikohet në Fletoren Zyrtare, formatin e shkruar dhe elektronik, atëherë merr formë ligjore. Këtë e thotë qartë neni 117 i Kushtetutës dhe neni 11 i Ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Qendrës së Botimeve Zyrtare.
Por ka një problem, formati elektronik i Fletores Zyrtare prej një jave nuk është në gjendje pune. Atëherë çfarë akti do të zbatojnë për të kaluar shpërblimin e policëve degët e thesarit kur ai është në shkelje sepse 1) është miratuar në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor dhe 2) nuk ka hyrë ende në fuqi? Që të marrin pagesën, policët duhet të presin që qeveria të miratojë një VKM të re me propozim të Ministrit të Financave dhe punonjësit e kontraktorët e AKSHI-t të rregullojnë sistemet. Rruga tjetër është që Thesari të shkelë ligjin," shkruan Ola Xama.
© SYRI.net
Ditmir Bushati: Rama s’do arrijë dot të përçajë rininë, Partia Socialiste duhet të ngrihet…
Berisha thirrje shqiptarëve: Mos i lini vetëm studentët, ata po luftojnë për të gjithë ne! Nesër në orën 10:00 të gjithë para universitetit
FOTO/ Studentët e Durrësit mesazhe kundër ‘grevëthyesve’: Turp për pedagogët që nuk mbështesin