Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pritet të zhvillojë sot një takim në Oslo me të dërguarin amerikan Steve Witkoff, në kuadër të përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Në bisedime pritet të marrë pjesë edhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, i cili do të bashkohet përmes një lidhjeje me video. Gjithashtu, të pranishëm do të jenë kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre dhe presidenti finlandez Alexander Stubb.
Kryeministri norvegjez deklaroi se synimi i takimit është rifillimi i përpjekjeve diplomatike në një drejtim më konstruktiv.
Takimi zhvillohet në një periudhë tensionesh në rritje mes Kievit dhe Uashingtonit, ndërsa Trump ka shtuar kritikat ndaj Ukrainës. Së fundmi, presidenti amerikan i cilësoi si “turp” sulmet ukrainase me rreze të gjatë veprimi ndaj infrastrukturës ruse të naftës, duke i lidhur ato me rritjen e çmimeve të energjisë në SHBA.
Ndërkohë, Zelensky ka shprehur shqetësim për kufizimet që prekin shërbimin satelitor të internetit “Starlink”, të kompanisë së Elon Musk, i cili përdoret nga ushtria ukrainase në vijën e frontit. Presidenti ukrainas ka ngritur gjithashtu shqetësime për vonesat në furnizimin me raketa amerikane.
Media amerikane “Axios” raportoi se sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, nuk kishte autorizuar dërgesat e raketave “Patriot” dhe sistemeve të tjera të mbrojtjes ajrore, megjithëse ato ishin paguar nga vende anëtare të NATO-s. Pentagoni e ka kundërshtuar këtë raportim.
Në një zhvillim tjetër, Zelensky njoftoi se kishte zhvilluar një bisedë të rëndësishme me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio. Sipas presidentit ukrainas, diskutimet u përqendruan te nevoja për raketa kundër raketave balistike, paralajmërimi në kohë për sulmet ruse, rikthimi i shërbimit “Starlink” dhe përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës.
“Jam mirënjohës për gatishmërinë e tij për të ndihmuar dhe për qëndrimin e tij të qartë”, shkroi Zelensky në rrjetin social X.
Takimi në Oslo shihet si pjesë e përpjekjeve për të mbajtur të hapura kanalet diplomatike, në një kohë kur mosmarrëveshjet për mbështetjen ushtarake dhe kushtet e një marrëveshjeje paqeje vazhdojnë të rëndojnë marrëdhëniet mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara.

