Protesta e ditës së tetë para Kryeministrisë është shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit, pas më shumë se tre orësh qëndrimi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Disa të rinj hodhën molotovë drejt godinës së Kryeministrisë, ndërsa protestues të maskuar qëlluan me gurë në drejtim të efektivëve.
Policia reagoi me gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën, ndërsa efektivët u vunë në ndjekje të grupeve të protestuesve që u larguan në zona të ndryshme të Tiranës. Edhe në zonën e 9-katësheve u përdor uji me presion për shpërndarjen e protestuesve.
Tubimi kishte nisur pa tensione të shtuara, me qytetarë të mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, të cilët mbanin pankarta dhe përsëritnin thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e kastës politike.
Gjatë protestës, disa pjesëmarrës shkulën stacionin e autobusëve urbanë pranë Kryeministrisë, ndërsa të tjerë dëmtuan dy kosha basketbolli pranë busteve të Vëllezërve Frashëri.
Situata u përshkallëzua më vonë, kur një grup protestuesish hodhi mjete piroteknike dhe molotovë drejt godinës së qeverisë, duke u pasuar nga hedhja e gurëve ndaj policisë. Ndërhyrja e forcave të rendit solli shpërndarjen e turmës dhe vijimin e ndjekjes së protestuesve në disa pjesë të kryeqytetit.

