Kryeministri Edi Rama pritet të udhëtojë të enjten, më 22 tetor, drejt Malit të Zi, ku do të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit, që zhvillohet në Miloçer të Budvës.
Lëvizja e kreut të qeverisë vjen në një moment të tensionuar politik në Shqipëri, ku protestat kundër qeverisë vijojnë dhe pakënaqësia ndaj mazhorancës është përshkallëzuar në rrugë.
Në samit pritet të marrin pjesë edhe kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri kroat Andrej Plenkoviç, kancelari austriak Christian Stocker, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
Të pranishëm do të jenë gjithashtu përfaqësues të lartë të diplomacisë italiane dhe franceze, si dhe komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos.
Kuvendi rikthehet në seancë mes tensioneve
Ndërsa Rama pritet të jetë jashtë vendit, Kuvendi ka njoftuar zhvillimin e seancës plenare të radhës të enjten, në orën 10:00, pas anulimit të seancës së javës së kaluar, në një klimë të tensionuar nga protestat dhe shqetësimet për sigurinë e deputetëve.
Në rendin e ditës është përfshirë interpelanca urgjente me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, e kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike. Po ashtu, janë parashikuar dy interpelanca me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët Ermal Pacaj dhe Tedi Blushi. Ky i fundit ka kërkuar edhe një interpelancë me ministrin e Financave, Petrit Malaj.
Deputetët pritet të shqyrtojnë gjithashtu projektligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ndryshimet në ligjin për të drejtat e autorit dhe projektligjin për treguesit gjeografikë të produkteve artizanale dhe industriale.
Seanca e së enjtes do të zhvillohet në një klimë të fortë përplasjesh politike, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Kuvendi do të arrijë të vijojë punimet normalisht, pas ndërprerjes së javës së kaluar për shkak të situatës së krijuar nga protestuesit.













