Kryesia e Sindikatës së Universiteteve vendosi të martën shpalljen e bojkotit të mësimdhënies në të gjitha universitetet publike të Shqipërisë, në shenjë solidariteti me protestat e studentëve dhe nxënësve, të cilat prej më shumë se një jave janë shoqëruar me përplasje të dhunshme me policinë.
Vendimi u mor unanimisht gjatë një mbledhjeje të kryesisë së sindikatës, të zhvilluar më 20 tetor në sheshin ku protestojnë studentët dhe nxënësit në Tiranë.
Sipas njoftimit, bojkoti do të nisë të mërkurën, më 21 tetor, dhe do të vijojë deri në një vendim të dytë.
“Pedagogët nuk mund të vazhdojnë mësimin si zakonisht, ndërkohë që studentët e tyre goditen në rrugë”, deklaroi sindikata, duke akuzuar autoritetet se u janë përgjigjur kërkesave të të rinjve me heshtje dhe dhunë në vend të dialogut.
Sindikata argumenton se studentët kanë protestuar për përmirësimin e cilësisë së arsimit, shërbimeve shëndetësore, sigurisë dhe llogaridhënies institucionale. Ajo shprehu gjithashtu mbështetje për shqetësimet e tyre lidhur me korrupsionin, mungesën e meritokracisë dhe zhvillimet politike e ekonomike në vend.
Vendimi shënon një përshkallëzim të mbështetjes së pedagogëve për protestat që nisën më 13 tetor, të nxitura nga pakënaqësia e të rinjve ndaj korrupsionit, kostos së lartë të jetesës dhe mungesës së perspektivës.
Demonstratat janë shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, përdorim të gazit lotsjellës, plumbave të gomës dhe ujit me presion, si dhe arrestime të shumta.
Sindikata kërkoi ndërprerjen e menjëhershme të dhunës ndaj protestuesve paqësorë dhe një hetim të pavarur e transparent për përdorimin e forcës nga policia që prej 13 tetorit.
Ajo kërkoi gjithashtu nxjerrjen përpara përgjegjësisë të personave që kanë urdhëruar ose ushtruar dhunë, respektimin e të drejtave të studentëve të shoqëruar në polici dhe plotësimin e kërkesave të protestuesve.
Duke iu drejtuar rektorëve dhe drejtuesve të institucioneve publike të arsimit të lartë, sindikata u bëri thirrje të respektojnë vendimin dhe të mos ndërmarrin masa disiplinore ndaj pedagogëve apo studentëve që marrin pjesë në bojkot.
“Bojkoti nuk është braktisje e auditorit. Është mënyra jonë për të treguar se auditori, pa të drejta dhe pa dinjitet, humbet kuptimin e vet”, thuhet në deklaratë.
Sindikata u bëri thirrje pedagogëve që të mos kufizohen te ndërprerja e mësimit, por të marrin pjesë aktivisht në demonstrata.
Sipas njoftimit, pedagogët do të mblidhen çdo ditë në orën 10:00 përpara Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik të Tiranës, për t’iu bashkuar protestuesve.
Njëkohësisht, sindikata u kërkoi anëtarëve të saj të ruajnë komunikimin me studentët, t’u ofrojnë materiale mësimore dhe mbështetje, si dhe t’i informojnë se orët e humbura të mësimit do të kompensohen më vonë.
Nuk është ende e qartë se sa pedagogë do t’i bashkohen bojkotit dhe në çfarë mase do të ndikojë ai në zhvillimin e mësimit në universitetet publike të vendit.






