Edhe pas përfundimit të protestës në Tiranë, tensionet nuk janë shuar. Efektivët e Policisë kanë shoqëruar disa protestues, ndërsa ndërhyrja është shtrirë edhe në ambientet e kafeneve pranë Parkut “Rinia”.
Sipas pamjeve , disa të rinj kanë kundërshtuar shoqërimin, duke kërkuar nga efektivët të shpjegojnë arsyet e ndërhyrjes dhe të paraqesin dokumentacionin përkatës. Në debat janë përfshirë edhe persona të tjerë të pranishëm, të cilët kanë reaguar ndaj veprimeve të policisë.
“Ku është mandati? Nuk është gjykatë ai, o burrë, ku ta paraqesë aq shpejt ai ty?”, dëgjohet të thotë një efektivë.
Një tjetër i ri kundërshton shoqërimin, duke pretenduar se nuk kishte bërë asgjë që të justifikonte ndërhyrjen e policisë.
“S’keni të drejtë të më prishni qetësinë, për çfarë? Po parkoj biçikletën! Për çfarë do të më shoqërosh?”, dëgjohet të thotë ai.
Episodi është regjistruar në momentin kur protesta po shkonte drejt fundit, ndërsa shoqërimet e kryera nga policia kanë shkaktuar reagime edhe mes qytetarëve që ndodheshin në zonën e Parkut “Rinia”.













