Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e së martës në Tiranë, ku një 46-vjeçar është gjetur i pajetë brenda automjetit të tij në rrugën “Mihal Popi”, në zonën e bllokut “1 Maji”. Ndonëse fillimisht u dyshua për vrasje, nga hetimet paraprake dyshohet se bëhet fjalë për vetëvrasje me armë zjarri.
Viktima është identifikuar si Ismet Habili. Ai u gjet brenda një automjeti tip “Volvo”, i cili kishte përfunduar mbi trotuar, jashtë korsisë së lëvizjes dhe pranë një objekti banimi. Brenda makinës u gjet edhe arma e zjarrit, me të cilën dyshohet se 46-vjeçari i ka marrë jetën vetes me një plumb në kokë.
Kanë qenë banorët e zonës ata që kanë njoftuar policinë, fillimisht duke raportuar për një automjet të aksidentuar.
Në njoftimin paraprak, Policia e Tiranës bëri të ditur se ngjarja u raportua rreth orës 20:20 të datës 20 tetor 2026.
“Më datë 20.10.2026, rreth orës 20:20, në Sallën Operative është marrë njoftim për një automjet të aksidentuar në rrugën ‘Mihal Popi’, në bllokun ‘1 Maji’. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, ku kanë konstatuar brenda automjetit tip ‘Volvo’, shtetasin I. H., pa shenja jete, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri”, thuhej në njoftimin e policisë.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se akti ekstrem mund të ketë lidhje me probleme familjare, por kjo mbetet për t’u konfirmuar nga hetimet. Në vendngjarje mbërriti edhe i biri i viktimës, i cili reagoi me dëshpërim kur mësoi për vdekjen e të atit.
Grupi hetimor po vijon punën për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.

