Wednesday / October 21 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi

Albpetrol shpall fituesit për 101.4 mijë ton naftë, kontrata vlerësohet 61.4 milionë euro

Share Share Icon

Kompania shtetërore Albpetrol ka shpallur fitues bashkimin e operatorëve ekonomikë “Europetrol Durrës Albania” dhe “Bitex Refinery” në ankandin për shitjen e 101.4 mijë tonëve naftë bruto.

Vlera e përllogaritur e kontratës arrin në 5.57 miliardë lekë, ose rreth 61.4 milionë euro, sipas dokumentacionit të publikuar nga kompania.

Në njoftimin e fituesit, të datës 19 tetor 2026, Albpetrol përcakton se dy kompanitë duhet të paraqesin një sigurim kontrate prej 557.3 milionë lekësh. Kjo shumë përfaqëson 10% të vlerës së përllogaritur të kontratës, duke e çuar vlerën totale të parashikuar të shitjes në 5.57 miliardë lekë.

Shuma përfaqëson vlerën e përllogaritur të të ardhurave nga ankandi dhe jo një shumë tashmë të arkëtuar. Vlera përfundimtare e shitjes do të përcaktohet nga çmimet ndërkombëtare të naftës gjatë periudhës së zbatimit të kontratës.

Kushtet e ankandit

Sipas dokumenteve të Albpetrol, bashkimi i kompanive “Europetrol Durrës Albania” dhe “Bitex Refinery” ka rezultuar fitues me një ofertë të bazuar në 77.51% të çmimit të naftës Brent, minus 4.448 dollarë për fuçi, plus një koeficient shtesë “K” prej 0.0105 dollarësh për fuçi, pa TVSH.

Koeficienti “K” ishte elementi konkurrues i ankandit, ndërsa çmimi bazë i shitjes ishte përcaktuar paraprakisht nga Albpetrol. Sipas kushteve të procedurës, fitues do të shpallej operatori që ofronte vlerën më të lartë të këtij koeficienti.

Albpetrol e hapi ankandin në fillim të tetorit, duke nxjerrë në shitje 101,400 ton naftë bruto, me një periudhë lëvrimi prej 12 muajsh nga nisja e tërheqjes së produktit.

Sasia e naftës nuk do të tërhiqet menjëherë, por do të shpërndahet gjatë një viti, me nga 8,450 ton në muaj. Produkti ndodhet në gjashtë pika të administruara nga Albpetrol: Zharrëz, Usojë, Visokë, Gorisht, Kuçovë dhe Amonicë.

Çmimi që do të paguajnë kompanitë fituese nuk është fiks, por do të ndryshojë në varësi të kuotimeve të naftës Brent në tregjet ndërkombëtare. Për llogaritjen e tij do të përdoren referencat e publikuara nga Platts.

Përqindja prej 77.51% e çmimit Brent është përcaktuar nga Albpetrol duke marrë parasysh karakteristikat e naftës bruto që tregtohet, përfshirë densitetin dhe përmbajtjen e squfurit. Ndërsa zbritja prej 4.448 dollarësh për fuçi lidhet me kostot e transportit, magazinimit, stokimit, analizimit dhe sigurimit të produktit, në rastet kur ai merret drejtpërdrejt në pikat e lëvrimit.

Pagesat nga kompanitë fituese do të kryhen përpara tërheqjes së çdo sasie mujore, përmes transfertave bankare, sipas grafikut të përcaktuar në kontratë.

Ky është ankandi i parë i zhvilluar nga Albpetrol gjatë vitit 2026, pas procedurës së mëparshme për shitjen e naftës bruto në shtator 2025./ N.Maho

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Unioni Turistik: Shqetësimet e studentëve janë edhe tonat, qeveria të hapë dialogun me të rinjtë

Unioni Turistik Shqiptar u ka bërë thirrje institucioneve shtetërore dhe drejtuesve të vendit të hapin një proces dialogu me studentët dhe të rinjt...

11 hours më parë 3 Min Lexim

Shqipëria, e parafundit në rajon për rritjen ekonomike, investimet ngadalësohen

Shqipëria regjistroi rritjen e dytë më të ulët ekonomike në Ballkanin Perëndimor në tremujorin e dytë të vitit 2026, duke lënë pas vetëm Bosnjë-Her...

13 hours më parë 6 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!