Putin pret sot të dërguarin e Trump, Steve Witkoff, në tryezë propozimet për paqen në Ukrainë

Botë | 6 minuta më parë

I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, do të takohet sot me presidentin rus Vladimir Putin në Shën Petersburg, në kuadër të përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Takimi vjen një ditë pas bisedimeve të Witkoff me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Oslo, ku, sipas zyrtarëve amerikanë, u shënua përparim në diskutimet për hapat e ardhshëm drejt paqes.

Bisedimet në Rusi pritet të përqendrohen te propozimet e diskutuara mes përfaqësuesve amerikanë, ukrainas dhe evropianë në kryeqytetin norvegjez. Sipas presidentit ukrainas dhe aleatëve të tij evropianë, tashmë i takon Moskës të japë përgjigjen e saj ndaj këtyre propozimeve.

Një zyrtar amerikan i cilësoi bisedimet e së martës (20 tetor) në Oslo si “shumë produktive dhe konstruktive”, duke theksuar bashkëpunimin mes SHBA-së, Ukrainës dhe vendeve evropiane për përcaktimin e hapave të mëtejshëm.

Në takimin e zhvilluar në Norvegji mori pjesë edhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump dhe një prej përfaqësuesve të tij në përpjekjet diplomatike, i cili u lidh përmes videokonferencës. Sipas zyrtarit amerikan, Kushner do të marrë pjesë virtualisht edhe në bisedimet me Putinin.

Ndërkohë presidenti amerikan Donald Trump ka shtuar presionin ndaj Ukrainës për të arritur një marrëveshje me Rusinë. Pas takimit në Oslo, ai u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se dëshironte që Kievi “të bënte një marrëveshje”, duke shtuar se, sipas tij, edhe Moska dëshiron t’i japë fund konfliktit.

Trump ka kritikuar gjithashtu udhëheqjen ukrainase, duke deklaruar së fundmi se ishte koha që vendi të kishte një president të ri dhe që dikush tjetër të negocionte në emër të Ukrainës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme