“Masakër në stilin parizien”; Barcelona denoncon PSG-në në UEFA për banderolën me sharrë elektrike

21 Tetor 2026
7:36
Alfred Lleshi
back button

Barcelona do të ankohet zyrtarisht në UEFA për një banderolë të shpalosur nga tifozët e PSG-së para ndeshjes mes dy skuadrave. Në banderolë shkruhej “Masakër në stilin parizien”, ndërsa paraqitej një person me maskë dhe fanellën e PSG-së, që mbante një sharrë elektrike dhe shkatërronte stemën e Barcelonës.

Sipas “SPORT”, klubi katalanas e konsideron banderolën krejtësisht të papërshtatshme dhe do të marrë masa. Tifozët parizienë iu referuan personazhit ikonik Leatherface nga filmi “Masakra në Teksas”, ndërsa maska i ngjante asaj të Michael Myers nga “Halloween”.

Banderola u shpalos pak çaste para fillimit të ndeshjes, duke e ndezur edhe më shumë atmosferën e një përballjeje të madhe në Champions League. Megjithatë, Barcelona nuk pranon që rivaliteti të shkojë deri në këto ekstreme. Sipas klubit katalanas, spektakli duhet të mbetet vetëm në fushën e lojës.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit