Dwayne Johnson transformohet rrënjësisht për rolin e ri, do të luajë një 70-vjeçar

Dwayne Johnson ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm fizik për rolin e tij të ri në filmin “Lizard Music”, ku do të portretizojë një personazh 70-vjeçar të njohur si Chicken Man.
Aktori është fotografuar në xhirime në Brooklyn me kapelë dhe pallto, teksa mban një copë pice në dorë.
Për pamjen e tij të moshuar është kujdesur artisti i grimit Kazu Hiro, i njohur për transformimet e realizuara edhe në filma të tjerë.
Johnson ka zbuluar se për këtë rol ka humbur rreth 14 kilogramë, duke e krahasuar përvojën me transformimin e tij në filmin “Smashing Machine”.
Filmi bazohet në librin për fëmijë me të njëjtin emër nga Daniel Pinkwater dhe rrëfen historinë e një djali që zbulon një transmetim të pazakontë televiziv.
Gjatë aventurës së tij, njihet me Chicken Man dhe pulën e tij të moshuar, Claudia.
Në film luajnë edhe Rachel McAdams, Colman Domingo, Jeff Goldblum dhe emra të tjerë të njohur.
Premiera e “Lizard Music” është planifikuar për Krishtlindjet e vitit 2027. /Telegrafi/














































