Paralajmërimi i Hamzës për largim nga PDK-ja, analistët flasin për përplasje të brendshme dhe krizë lidershipi

Mundësia që Bedri Hamza të largohet nga kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka nxitur debat mbi gjendjen e brendshme të partisë, marrëdhëniet mes drejtuesve të saj dhe drejtimin që do të marrë subjekti kryesor opozitar.

PDK-ja ka bërë të ditur se Hamza ka paralajmëruar se nuk do të kandidojë sërish për kryetar në zgjedhjet e ardhshme të brendshme, megjithëse deri më tani nuk është marrë një vendim zyrtar për dorëheqjen e tij.

Të lidhura

None found

Kjo çështje është shfaqur në një periudhë me zhvillime të rëndësishme politike në Kosovë, pas miratimit të projektligjit për Gjykatën Speciale dhe zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës si presidente e re.

Qëndrimi i Hamzës ndaj këtyre zhvillimeve dhe bashkëpunimi për çështjet institucionale kanë ngritur pikëpyetje nëse vendimi i paralajmëruar lidhet vetëm me vlerësimin e tij për punën në krye të PDK-së, apo edhe me pakënaqësi e përplasje brenda partisë.

Për arsyet e mundshme të largimit dhe pasojat e tij për PDK-në, për “Bota sot” kanë folur analistët politikë Gani Qarri dhe Blerim Burjani, të cilët japin vlerësime të ndryshme për krizën e lidershipit dhe të ardhmen e partisë.

Qarri: Përplasjet në parti dhe raportet me Kurtin mund të kenë ndikuar

Image

Gani Qarri mendon se paralajmërimi i Hamzës për t’u larguar nga drejtimi i PDK-së mund të jetë ndikuar nga zhvillimet e fundit politike dhe marrëdhëniet me figurat me ndikim në parti.

Sipas tij, raporti i Hamzës me kryeministrin Albin Kurti, sidomos lidhur me projektligjin për Gjykatën Speciale dhe zgjedhjen e presidentes, mund të ketë sjellë përkeqësim të raporteve të tij me drejtues të tjerë të PDK-së.

“Pas ‘kompromisit’ të Bedri Hamzës me kryeministrin Albin Kurti për miratimin e projektligjit për Gjykatën Speciale dhe zgjedhjen e presidentes së vendit, si dhe zgjatja e dorës dhe përshëndetja miqësore nga Bedri Hamza me Kryeministrin Kurti dhe Glauk Konjufcën në Kuvend, duket-pa lejen e të fortëve të partisë, sikur kanë shkatërruar të gjitha raportet e tij edhe ashtu të ‘vakta’ me kryesin faktike të PDK-së, dhe kanë quar në largimin përfundimtar të Bedri Hamzës nga PDK, edhe nëse hipotetikisht nga zëdhënësit e partisë-thuhet se vetëm është biseduar në kryesi, por nuk është sjellë vendim ‘zyrtar’, për largimin e tij”, ka thënë Qarri për “Bota sot”.

Qarri pretendon se vendimmarrja në PDK është ndikuar fuqishëm nga grupe dhe figura të caktuara, duke ua kufizuar, sipas tij, autoritetin drejtuesve formalë.

Në këtë kontekst, ai përmend Sami Lushtakun, të cilin e cilëson si figurë me ndikim vendimtar brenda partisë pas arrestimit të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

“Në anën tjetër, siç edhe dihet botërisht, kryetar faktik i partisë-në PDK, veçanërisht pas arrestimit të Thaçit dhe Kadri Veselit nga Gjykata Speciale, ka qenë Sami Lushtaku, ndërsa Bedri Hamzën e ka sjellë rastësia në PDK i cili edhe si kandidat, ishte i kontestuar që nga fillimi i emërimit të tij, për të parin e partisë.

Bedri Hamza edhe vet, duket se e sheh veten më tepër në sektorin e ekonomisë dhe nuk është i dhënë shumë pas bërjes së politikës së partisë, kur dihet mirëfilli, siç u cek edhe më lart, se pas arrestimit të Thaçit e Kadri Veselit, të gjithë emrat tjerë që kanë figuruar formalisht si të parët e PDK-së, kanë qenë të papranueshëm për Sami Lushtakun dhe grupin nga Drenica, dhe ata janë përdorur vetëm si formalitet, për tu ekspozuar para anëtarësisë dhe publikut të gjerë, pa mundësi të ushtrimit real të funksionit të kryetarit në këtë parti”, ka deklaruar Qarri.

Sipas analistit, këto rrethana mund ta kenë bërë Hamzën të mendojë prej kohësh për largim. Hapja e procesit zgjedhor brenda partisë mund të jetë, sipas tij, momenti kur ky vendim bëhet konkret.

“Këto ishin vetëm disa nga argumentet rënduese, nga të cilat Bedri Hamza ka qenë i detyruar dhe memzi ka pritur rastin të ofrojë dorëheqjen e tij, i cili në pamundësi për të dhënë dorëheqje të menjëhershme, ka kohë që ka paralajmëruar publikisht se, me hapjen e procesit të zgjedhjeve të brendshme, ai do të japë dorëheqje të parevokueshme dhe nuk do të rikandidojë më për kryetar të këtij subjekti politik”, ka theksuar ai.

Duke përshkruar gjendjen e PDK-së, Qarri flet për përçarje mes figurave dhe forcim të fraksioneve, të cilat, sipas tij, po e vështirësojnë të ardhmen e partisë.

Ai përmend përplasjen politike mes Sami Lushtakut dhe Ramiz Lladrovcit si shenjë të problemeve më të gjera organizative.

“Shto gjithë kësaj faktin, se pas vendimit dënues ndaj Hashim Thaçit e Kadri Veselit, nga Gjykata Speciale në Hagë, fraksionet brenda kësaj partie janë fuqizuar tej mase dhe kanë ngrit krye edhe më tepër ndërsa PDK ka marrë teposhtën totale pa mundësi frenimi të shpejtë e të shëndetshëm.

Andaj pas disa tronditjesh të njëpasnjëshme, duke filluar nga shpërthimi i konfliktit të hapur të Sami Lushtakut & Co, me Ramiz Lladrovcin, tanimë kriza në PDK ka arritur kulmin dhe po shihet qartë, se është në rënie të lirë e cila bashkë me LDK-në dhe AAK-në, në zgjedhjet e radhës, duket se do ti bëjnë konkurrencë të fort, njëra tjetrës për sigurimin e vendit të parafundit në ranglistën e partive pjesëmarrëse në Kuvend, nëse nuk rrezikojnë ndonjëra nga këto tria, për të rënë edhe nën pragun zgjedhor”, është shprehur Qarri.

Për dorëheqjen e Hamzës, Qarri u referohet raportimeve mediatike, por vëren se një vendim përfundimtar nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Ai përmend edhe zërat se Vlora Çitaku mund të marrë përkohësisht drejtimin e partisë, ndonëse kjo mundësi nuk është bërë publike si vendim zyrtar.

“Sa i takon dorëheqjes së Bedri Hamzës ka raportime të pa-kontestuara nga disa media publike, megjithëse për momentin ende të pakonfirmuara zyrtarisht nga PDK, që ka njoftuar personalisht edhe kryesinë e partisë, se ai ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të këtij segmenti politik, ani pse PDK duket se ka vendosur ta shpall këtë në ditët në vijim.

Ndërsa pas dorëheqjes së Bedri Hamzës dhe zhvillimeve më të reja në PDK, në kuloare të brendshme flitet me siguri relative, se tanimë nënkryetarja e deritanishme Vlora Çitaku ka marrë përsipër udhëheqjen e përkohshme të partisë dhe bashkë me anëtarët aktual të kryesisë së PDK-së, këtij subjekt në tronditje të thellë edhe konstitucionale, do ti prijnë deri në Kuvendin e ardhshëm dhe zgjedhjet e brendshme, të cilat në PDK, pritet të mbahen në fillim të vitit 2027, nëse nuk shpartallohet tërësisht dhe ndahet në disa fraksione rajonale deri atëherë”, ka thënë Qarri.

Ai shton se deklarimi i zyrës për informim të PDK-së nuk i ka sqaruar plotësisht paqartësitë për të ardhmen e Hamzës. Sipas tij, krahas marrëdhënieve brenda partisë, në vendimin e paralajmëruar mund të kenë ndikuar edhe dallimet lidhur me zhvillimet institucionale.

“Kështu që si pjesë e kësaj loje mediatiko-poilitike, zyra për Informim e PDK-së nuk e ka pohuar as mohuar vendimin për dorëheqje të z. Bedri Hamza dhe vetëm sa është prononcuar shkurt se gjoja për momentin nuk ka një vendim zyrtar për dorëheqjen e tij, duke shtuar se Bedri Hamza ka paralajmëruar që do të japë dorëheqje dhe nuk do të rikandidojë më për kryetar të PDK-së, pasi të nisë procesi i zgjedhjeve të brendshme në parti.

Përveç imazhit të dëmtuar dhe bilancit të tij të ulët politik, shqetësim serioz që kanë quar në dorëheqjen e ‘parakohshme’ të Bedri Hamzës, nga pozita e kryetarit të PDK-së, mendohet të kenë thirrjet më të reja nga element destruktiv brenda kësaj partie, për organizim të protestave dhe shkaktimin e trazirave, vetëm pak kohë pas votimit të ligjit për Gjykatën Speciale në Kuvend dhe zgjedhjen e presidentes së shtetit, akte që u duk se i vendosën gjërat në binar dhe Kosova do të ecë e papenguar në agjendën e saj të shtetndërtimit dhe rrugëtimin e inkuadrimeve euroatlantike”, ka theksuar ai.

Në përfundim, Qarri vlerëson se situata mund të ketë ndikim më të gjerë, jo vetëm në udhëheqjen e PDK-së, por edhe në vazhdimin e angazhimit politik të Hamzës.

Sipas tij, përçarjet dhe zhvillimet institucionale mund ta shtyjnë Hamzën të tërhiqet edhe nga politika, jo vetëm nga posti i kryetarit.

“Sikur mos të mjaftonin të gjitha këto, pas vendimit të Gjykatës Speciale, gjendja e brendshme në PDK, është kthyer në tërmet shkatërrues fraksional, ndërsa zgjedhja e presidentes së shtetit dhe krijimi i institucioneve të qëndrueshme qeverisëse, me të cilat LVV dhe kryeministri Kurti kanë siguruar edhe një mandat të plotë udhëheqës katërvjeçar në Kosovë, akte që siç dihet nuk janë pajtuar asnjëherë grupet e inkriminuara brenda PDK-së, të cilat, pas miratimit të ‘Ligjit të Byrosë për Konfiskimin e Pasurive të Kundërligjshme’ kanë rënë në siklet të madh se tani duhet të përballen përfundimisht edhe me drejtësinë, kanë detyruar Bedri Hamzën, që jo vetëm të jap dorëheqje të parakohshme nga pozita formale e kryetarit të PDK-së, por ndoshta të përshëndetet përfundimisht edhe me politikën, që në PDK, ku ai përveçse ka startuar rastësisht edhe ka dështuar keq në këtë profesion dhe asnjëherë nuk i ka ra, as për së-afërmi-‘taman’!”, ka përfunduar Qarri për “Bota sot”.

Burjani: PDK-ja nuk ka kandidat më të përshtatshëm se Hamza

Ndryshe nga Qarri, Blerim Burjani e sheh situatën me një tjetër këndvështrim. Sipas tij, PDK-ja përballet me mungesë kandidatësh të përshtatshëm për udhëheqje dhe Hamza ishte një figurë më e pranueshme e më e moderuar për këtë rol.

Image

Burjani e cilëson të pakuptimtë shtyrjen e Hamzës drejt dorëheqjes, sidomos kur, sipas tij, partia nuk ndodhet në gjendje të pafavorshme politike.

“PDK është në krizë për lider, edhe pse Bedriu ishte më i pranueshëm, më normal për të udhëhequr një parti si PDK. Pra, është absurd të shtyhet që ai të dorëhiqet në një situatë kur PDK nuk është keq, por në favor”, ka deklaruar Burjani për “Bota sot”.

Ai shpreh dyshime se PDK-ja mund të gjejë pasardhës që do ta udhëhiqnin më mirë se Hamza. Po ashtu, paralajmëron se përzgjedhja e personave me probleme ligjore do të dëmtonte partinë dhe imazhin e saj.

“Ata nuk kanë kënd e propozojnë. Cilindo ta propozojnë, s’ka asgjë prej tij. Ata nuk mund të propozojnë njerëz me probleme me rendin dhe ligjin, të tillë ka plot në PDK. Nëse luajnë me Hamzën, do të jetë një nga gabimet më të mëdha të kësaj partie”, është shprehur ai.

Sa i përket së ardhmes politike të Hamzës, Burjani nuk pret që ai të ruajë rol të rëndësishëm në PDK pas largimit nga kreu. Ai e krahason situatën e tij të mundshme me atë të ish-kryetarit Memli Krasniqi dhe mendon se Hamza mund të jetë deputet pa ndikim të madh në politikën partiake.

“E ardhmja e Hamzës është si e Memlit, pa të ardhme, mundësisht të jetë deputet pa ndikim në politikën e PDK-së”, ka deklaruar Burjani.

Megjithatë, analisti këmbëngul se partia nuk ka aktualisht një alternativë më të mirë për udhëheqje. Ai thekson se përgjegjësia për rezultatet zgjedhore nuk i takon vetëm Hamzës, por edhe PDK-së dhe vendimeve të saj për kandidatët.

“Më të mirë se Hamzën nuk ka në PDK, edhe pse dy herë kishte humbur në kandidaturën për kryeministër, por këtu fajtore është partia që kandidon kot dhe e di mirë se s’ka gjë prej asaj pune”, ka përfunduar Blerim Burjani për “Bota sot”.


Shtuar më 21.10.2026 08:14

Quantcast