Zemaj: Buxheti për shëndetësi është keqpërdorur, pacientët po vuajnë pasojat

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka kritikuar menaxhimin e sektorit shëndetësor nga Qeveria aktuale, duke pretenduar se keqmenaxhimi i buxhetit, ndërhyrjet në tenderë dhe interesat e lidhura me kompani farmaceutike kanë ndikuar në mungesën e barnave dhe vështirësitë me të cilat përballen pacientët.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në një bisedë për Ekonomia Online, ka thënë se rritja e buxhetit për shëndetësi nuk është përkthyer në përmirësim të shërbimeve për qytetarët.

Sipas tij, shqetësimet lidhen edhe me ndërhyrjet në listën esenciale të barnave dhe dyshimet për keqpërdorim të tenderëve në favor të kompanive të caktuara.

“E kemi ngritur këtë shqetësim në vazhdimësi dhe kemi theksuar se kemi të bëjmë, së pari, me keqmenaxhim, por edhe me interesa financiare që dyshohet se janë të ndërlidhura me kompani të ndryshme farmaceutike, me ndërhyrje në listën esenciale të barnave dhe me keqpërdorim të tenderëve, për t’ua dhënë kompanive të caktuara, të cilat kanë shkaktuar vonesa, por edhe e kanë rënduar jetën e pacientëve dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Zemaj.

Ai ka vlerësuar se mungesa e përgjegjësisë në menaxhimin e mjeteve financiare po ndikon drejtpërdrejt te pacientët, ndërsa ka theksuar se buxheti për këtë sektor, ndonëse është rritur ndër vite, nuk ka sjellë rezultatet e pritshme.

“Të gjitha këto së bashku, sepse paaftësia e Qeverisë dhe mungesa e vëmendjes ndaj këtij sektori shumë të rëndësishëm dhe vital, për të mos thënë papërgjegjësia e plotë në menaxhimin e buxhetit, i cili kohë pas kohe ka qenë në rritje, por është keqpërdorur, po kthehen sërish në disfavor të pacientëve dhe qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai.

Zemaj ka pranuar se buxheti për shëndetësi nuk është i mjaftueshëm, por sipas tij, menaxhimi më i mirë i mjeteve ekzistuese do të mundësonte kushte më të mira për pacientët.

Ai ka përmendur respektimin e afateve të furnizimit, administrimin e stokut të barnave dhe organizimin e duhur të trajtimit të pacientëve si disa nga faktorët që mund të ndikonin në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.

“Por, kur kemi keqmenaxhim, keqpërdorim, ndërhyrje në tenderë dhe interesa personale të njerëzve të lidhur me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me pushtetin, atëherë as buxheti nuk është i mjaftueshëm”, ka deklaruar deputeti i LDK-së.

Zemaj: Listat e pritjes po i shtyjnë pacientët drejt spitaleve private

Ish-ministri ka ngritur shqetësime edhe për ndërhyrjet politike në menaxhimin e institucioneve shëndetësore dhe emërimet në pozita drejtuese.

Sipas tij, emërimi i personave që, siç pretendon ai, nuk kanë kompetencat e nevojshme dhe largimi i profesionistëve me grada shkencore e përvojë menaxheriale kanë ndikuar në funksionimin e sistemit shëndetësor.

Zemaj ka lidhur këto zhvillime edhe me listat e gjata të pritjes, të cilat, sipas tij, po i shtyjnë pacientët të kërkojnë shërbime në institucionet private.

“Ky pushtet ka ndërhyrë në vazhdimësi në punën e profesionistëve shëndetësorë, duke ndërhyrë te drejtorët e klinikave, duke emëruar njerëz jo kompetentë dhe duke larguar njerëz me grada shkencore dhe përvojë menaxheriale. Për këtë arsye janë krijuar edhe listat e gjata të pritjes, të cilat janë në favor të institucioneve private shëndetësore”, ka thënë ai.

 

Të fundit nga rubrika