Ndërsa protesta e studentëve ka hyrë në ditën e saj të 8-të, dekani i Fakultetit të Histori-Filologjisë, Mark Marku, ka folur në studion e “Opinion” për zgjidhjet e mundshme të situatës protestues – qeveri.
Sipas tij, përplasja aktuale, ku studentët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe qeveria refuzon, rrezikon ta çojë vendin në një rreth vicioz që përsëritet çdo disa dekada. Marku thotë se largimi i kryeministrit Edi Rama lideri nuk i zgjidh automatikisht problemet e shoqërisë.
Pjesë nga diskutimi në studio
Mark Marku: Sido që të shkojë shoqëria, do të duhet që të ketë reagim plural. Në kuptimin që duhet të futen disa forca të tjera, që duke i mbështetur studentët dhe duke kërkuar një zgjidhje në favor të tyre, duhet që të bëjnë edhe një lloj amortizatori të dhunës. Elementë të tjerë të shoqërisë civile… nuk mund të reduktohet një protestë e madhe që synon një ndryshim të madh, vetëm tek ata që janë në shesh.
Blendi Fevziu: Do më shumë faktorë shoqërorë.
Mark Marku: Patjetër! Parlamenti duhet të rifaktorizohet, zgjidhja politike… Ore mos qeshni se parlamenti, në qoftë se do ndryshoni… mos u bëni naivë nga pikëpamja e politikës.
Blendi Fevziu: Po problemi është i tillë: ti ke shpresë që reagon parlamenti?
Mark Marku: Duhet të reagojë, do gjenden format. Ke disa parti politike të vogla që janë në shesh, që shoh që kanë edhe një lloj… i pranojnë protestuesit. Ke opozitën, faktorë brenda të majtës… Pra, patjetër që krijohen dinamika.
Blendi Fevziu: Në qoftë se tërhiqet Rama, tërheqja i zgjidh të gjitha problemet që kanë apo është simbolike?
Mark Marku: Unë nuk mendoj që dorëheqja e një kryeministri i zgjidh problemet e një vendi, sepse ne po shkojmë me cikle drejt liderëve autoritarë. Na është dashur para 30 e sa viteve me regjimin komunist, na është dashur në ’97-ën ta bëjmë prapë me Partinë Demokratike… Pra ne shkojmë automatikisht si shoqëri drejt një cikli të krijimit të një pushteti jashtëzakonisht të madh, të një nënshtrimi shumë të madh dhe pastaj të një revolte shumë të madhe.
Dhe idea është që kjo të mos realizohet prapë, që ne mos na duhet që mbas 10 viteve të na duhet që të luftojmë prapë për heqjen e një lideri autoritar. Do duhet që të fillojmë të funksionojmë në mënyrë shumë të strukturuar, që të krijojmë premisa që mos shkojmë prapë aty. Se në qoftë se ikin ca deputetë, vijnë ca deputetë të tjerë, ikën një lider autoritar, vjen një tjetër… Kjo është shoqëria që çon aty.












